Një letër babagjyshit nga Tirana

Një letër babagjyshit nga Tirana

I dashur Babagjysh ,

Po të shkruaj sërishmi nga Tirana! Qyteti flakëron në të ftohte të zbehtë dhe ndriçohet me disa drita të lira tregu. Një pemë e madhe në qendër të qytetit tenton të bëjë rolin e një hijerënde dhe në kokën time është simboli i qytetit që sapo ka lëshuar veten në festë.

Babagjysh , të shkruaj ngaqë thellia ime është pak e mërzitur. Madje kjo lloj mërzitje më ka bërë të të shkruaj më shumë sesa një herë këtë vit. Ky qytet...ky vend ku duket sikur gjysma nuk do të jetë asnjëherë dakord me gjysmën tjetër. Ndonjëherë kjo nuk është gjë e keqe...por vetëm ndonjëherë ama ; se herë të tjera , forca ime e mosbindjes nuk më lë ta besoj. Këtu njerëzit veshin kostum dhe kujtojnë se kështu janë edhe sharmant...! Çudi!Tani mërzitem edhe rrugëve të qytetit. Aty ndesh vetëm zonjëza me çantë dhe me buzë të kuqe. E njëjta ngjyrë dimër e verë. Nuk më pëlqejnë pandryshueshmëritë. Njeriu nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimet. Ka një forcë guximi që më bën t’i besoj çdo ndryshimi që nis i brendashkruar.

Babagjysh , nuk e di pse gjithë këto dritat e qytetit metropol më ndërmendin qytetin e lindjes sime. Aty "Vitet e Reja" i përcillnim me më pak drita , por me më shumë zemër. Binte bore e bardhë dhe ne mbusheshim me lumturi . Im atë na rrëfente histori , ku na mbronte nga luanët dhe me ngjiste sa të mundej në ca mendime imagjinative të një jete disi më ndryshe. Ato ditë kuzhina kundërmonte nga aromat e mira, mami bënte ëmbëlsira, petulla me reçel qershie , të cilat i thoja ti bënte në forme anijeje...Ajo mundohej. Ndonjëherë e realizonte dhe ndonjëherë ajo anija me dukej si një barkmadhe e obeze e vërtetë.  
 

Babagjysh , ti ndoshta nuk e di , por unë ndjehem mirë kur letër-këmbehemi.

Do të të shkruaj sërish...pak përpara se ty mesnata të të sjellë tek unë. Do të shkruaj nga vend tjetër ama... që nga Veriu...aty ku është ndoshta edhe LINDJA IME...


Letrën time do e zërë nata ndërsa është duke ecur për tek ti ...ose edhe ndoshta jo...sepse në fund të fundit nuk ka asnjëherë natë mes ëndrrash!

(Foto: Tirana ne dhjetor 2018, Gent Onuzi) 

EMISIONET