Mbrojtja e Teatrit Kombëtar po kalon në një formë edhe më të organizuar. Artistë dhe qytetarë kanë prej premtes mbrëma një skenë për të ngritur zërin por edhe për ta bërë tërheqëse për qytetarët.

Roza Anagnosti: Ne, instrumenti jonë jemi vetë ne. Nuk kemi instrument tjetër, prandaj na dhemb shumë. Ne duam sinqeritet, mirëkuptim dhe të bëhet më e mira. 

Gazmend Gjoka: Ky teatër do të jetë edhe i studentëve tanë që ne po përgatisim sot dhe ky teatër duhet të jetojë e të rrijë në këmbë me patjetër. Të gjithë ne jemi për Teatrin Kombëtar dhe vlerat që ai bën.

Edhe regjisorja Sesilia Plasari është pro idesë për të krijuar një mënyrë tjetër të rezistuari. Jo protestë duke vuajtur në greva urie, por duke u kënaqur kundër këtij regjimi që ajo e quan diktaturë.

Sesilia Plasari: Ky vend këtu të bëhet një festival ose vend rezistence ku njerëzit të kërcejnë, të vallëzojnë me njëri-tjetrin mbi fytyrën e diktatorit ku njerëzit do mund të argëtohen duke vënë shënjestra dhe të qëllojnë me armë jo të vërteta mbi fytyrën dhe portretin e diktatorit.

Qytetarë të shumtë, të rinj janë ngjitur në skenë, dikush me një poezi, dikush me një performancë, e duke u kthyer sërish tek toni protestues i artistëve.

"Ne jemi keq për bukën e gojës në kuptimin e varfërisë, por të paktën të mos mbetemi të varfër edhe shpirtërisht."

Altin Basha: Ne nuk jemi kafshë, as barbarë. Ne duam dialogun. Për një dialog të hapur, një kusht kemi, të tërheqin projektligjin.

Një ditë pas takimit të hapur me kryetarin e bashkisë, artistët besojnë më me forcë se fillimi i dialogut me pushtetin do të ishte heqja dorë nga projektligji që i hap rrugë ndërtimeve të kullave në zonën e teatrit. Në të kundërt, ligji ua lejon të kërkojnë edhe referendum.

Altin Basha: Teatri ndodh në skenë, del dhe luan. Nuk mund të gënjesh njeri për emocionet. Këtë duam dhe nga ata. Të jenë të ndershëm. Të mos harrojmë deputetët e djathtë se kur ky qytet drejtohej nga një qytetar i djathtë, nga një kryetar bashkie i djathtë që sot është kryetar i opozitës desh na bën jo stadiumin me kullë, por xhaminë me kullë. Kështu që të jenë të kujdesshëm me lojërat politike që bëjnë me grupin e artistëve dhe me qytetarët e Tiranës.

Kjo lloj proteste do të jetë e përnatshme. Mbetet për t’u parë ritmi dhe energjia e saj.

/Ora News.tv/