Nisin procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të Arbër Çekaj

Nisin  procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të

Gjermania nis procedurat për ekstradimin e biznesmenit, Arbër Çekaj, drejt Shqipërisë.

Prokuroria ka dorëzuar dosjen në gjykatë ditën e premte dhe togat e zeza kanë nisur shqyrtimin e procedurës për ekstradimin e 48 vjeçarit, i cili është porositësi i kontenierit me banane brenda së cilës u gjendën 613 kg kokainë.

Operacioni i sekuestrimit të ngarkesës së madhe të drogës u bë në shkurt të këtij viti në magazinën e Maminasit.

Policia Gjermane kishte lokalizuar të kërkuarin në një banesë dy katëshe në Dyseldorf, një shtetas me emrin Arbër Jansen, dhe mbahej nën mbikqyrje.

Dy javë më parë, dy hetues nga Shqipëria kanë shkuar në Gjermani dhe bashkë me policinë vendase, kanë mbajtur në vëzhgim të dyshuarin deri të premten kur u bë arrestimi i tij në banesën ku jetonte prej disa muajsh.

Në momentin e arrestimit, biznesmeni i bananeve nuk ka bërë rezistencë dhe nuk ka tentuar të largohet ndërsa policia thotë se ai fshihej me identitet të ndryshuar, pasi kishte marrë mbiemrin e gruas daneze me të cilën jetonte.

Arbër Çekaj u largua nga Shqipëria më 27 shkurt, vetëm 24 orë para kapjes në Durrës të kontenierit të porositur nga kompania e tij "Arbri Garden", ku u gjetën 613 kg kokainë.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, biznesmeni ka ndërruar të paktën dy banesa.

Pas kapjes së kokainës në banane në magazinën e Arbër Çekajt në Maminas, u arrestuan shoferi i kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i magazinës Donaldo Lushaj, të cilët nuk e kanë pranuar se kanë patur dijeni për drogën.

Ata janë lënë nga gjykata në masën "arrest me burg", masë të cilën e kanë ankimuar edhe në të gjitha shkallët e tjera të gjyqësorit.     

EMISIONET