Nisin përgatitjet për Maturën 2018, Dobi: Sivjet nuk ka ndryshime, gati grafiku për konsultimet

Nisin përgatitjet për Maturën 2018,  Dobi: Sivjet nuk ka

Menjëherë pas miratimit të rregullores së Maturës 2018, shkollat kanë nisur punën për përgatitjen dhe organizimin e provimeve.

Drejtorja e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, Teuta Dobi, pohon se është ngritur Komisioni Shkollor i Maturës, i cili orienton maturantët për çdo paqartësi si plotësimi i formularëve, lëndët me zgjedhje.

Dobi bën të ditur se është përcaktuar edhe grafiku i konsultimeve për tre provimet e detyruara.

Teuta Dobi: Fillojnë në shkollën tonë edhe konsultimet për të treja lëndët bërthamë sipas një grafiku që është miratuar nga drejtoria e shkollës. Çdo ditë do të ketë konsultime në Matematikë, Anglisht dhe Letërsi dhe nxënësi zgjedh. Mund të dojë ndonjë ndonjë nxënës që të hyj vetëm në Matematikë, atëherë është i lirë të hyjë. Kuptohet janë pa pagesë bëhen në shkollë.

Drejtorja e “Sami Frashërit”, e cila bën pjesë edhe në Komitetin e Maturës Shtetërore pranë Ministrisë së Arsimit, sqaron se Matura e sivjetshme nuk do të ketë ndryshime dhe plotësimi i Formularit A1 do të kryhet online në portalin e-albania gjatë muajit mars.

Teuta Dobi: Këtë vit nuk do të ketë vështirësi për arsye se Matura do të zhvillohet në mënyrë identike si vitin e kaluar dhe programet janë njësoj. Ndryshimi do të vijë vitin tjetër. Formularët A1 dhe A1Z aprovohen nga Ministria e Arsimit deri në datën 12. Ato pastaj dalin në portalin e-albania dhe sillen pranë shkollave. Pra, formulari fillon më 15 plotësimi i tij deri më 30 mars, siç ka qenë edhe vitin e kaluar, online”

Gjimnazi “Sami Frashëri”, është renditur i pari në analizën e provimeve të Maturës si dhe në Kartën e Performancës së gjimnazeve publike për vitin shkollor 2016-2017.

Dobi thotë se merita për këto arritje i takon mësuesve të shkollës.

Teuta Dobi: Është bërë së fundmi edhe analiza e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe ne kemi dalë të parët. Po ashtu edhe në Kartën e Performancës së gjimnazve jemi renditur të parët. Kjo ka ardhur si rezultat i punës së jashtëzakonshme të mësuesve këtu. Janë mësues, shumica e stafit mbi 50 % janë me moshë mbi 40 vjeç. Kanë eksperiencë në punë, punojnë me pasion, me shumë dëshirë. 

Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për vitin e ri mësimor, sezoni i provimeve të Maturës do të zhvillohet nga data 1 deri më 30 qershor.   

EMISIONET