Në Mal të Zi ka nisur votimi për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë 7 kandidatë.

Në sondazhet e bëra më parë, del se mbështetjen më të madhe e gëzon ish kryeministri dhe ish-presidenti i vendit, Millo Gjukanoviç, i cili ka një mbështetje edhe nga qytetarët shqiptarë.

Të drejtë vote kanë 532 mijë e 599 qytetarë. Qytetarët do të mund të votojnë në 1 mijë e 214 vendvotime, që do të jenë të hapura prej orës 07 deri në orën 20:00.          

I pari në listë është kandidati i Malit të Zi të Vërtet, Marko Millaçiq, i dyti, Mlladen Bojaniq, kandidati i Frontit Demokratik, Demokratëve, Partisë Socialiste Popullore dhe Lëvizjes qytetare URA. Kandidati i Partisë së Drejtësisë dhe pajtimit, Hazbija Kallaç është i treti në listë, kurse i katërti Vasilije Miliçkoviq, përfaqësues i grupit të zgjedhësve Aleancës Qytetare dhe Partisë së Pensionistëve, kurse i pesti është, Dobrillo Dedeiq, përfaqësues i koalicionit serb.

Në vendin e gjashtë të listës zgjedhore është kandidatja e Partisë Socialdemokratike, Draginja Vuksanoviç, kurse i shtati kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviç. Zgjedhjet presidenciale janë të shtatat me radhë prej futjes së pluralizmit në Mal të Zi.

Presidentë të Malit të Zi kanë qenë: Momir Bullatoviç në dy mandate, Millo Gjukanoviq në një, dhe Filip Vujanoviç në 3 mandate.

/Ora News.tv/