Një javë pasi regjistroi procedimin penal për trafik të lëndëve narkotike ne bazë të një audiopërgjimi të publikuar nga PD, për  Agron ose Geron Xhafajn Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimin pasuror për vëllanë e ministrit të Brendshëm.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi prodecimin penal për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” pas publikimit të audiopërgjimit nga Partia Demokratike ku nga biseda e bërë publike midis dy personave, njëri i cilësuar si “Bashkëpunëtori X” dhe një personi tjetër i supozuar si shtetasi Agron Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj) është treguar se bashkëpunëtori është ndihmuar nga shtetasi Agron Xhafaj për të siguruar një sasi kanabisi për ta trafikuar.

Më 17 maj 2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda,ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni  283/a i Kodit Penal.

Ndërsa më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305  i Kodit Penal.

Videopergjimi dergohet per ekspertim

"Prokuroria njofton se hetimet po kryen nga një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë. Se janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit. Po kështu është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit."

Shtetasi Geron Xhafaj, është i ditëlindjes 08.06.1975, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në Vlorë. 

Pas publikimit të auidopërgjimit Agron Xhafaj iu vetëdorëzua autoriteteve italiane  për të kryer dënimin e marrë  nga drejtësia e këtij vendi. PD e quajti këtë veprim si qëllim për të mbyllur hetimet në Shqipëri. 

/Ora News.tv/