Nikolla-studentëve: Më kërkuat, dola! Kur do flasim për problemet?

Nikolla-studentëve: Më kërkuat, dola! Kur do flasim për

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla pasi u refuzua nga studentët, ka bërë një reagim në Facebook.

Reagimi i ministres, Lindita Nikolla

Prej tre ditësh dëgjoj çfarë nuk dëgjoj dhe përpiqem vetëm të komunikoj qetësisht kur më jepet mundësia.

Prej tre ditësh i përgjigjem pozitivisht çdo letre apo pusulle me kërkesa që më vjen në derë.

Prej tre ditësh jam në zyrë e gatshme të takohem me studentët për të biseduar sy më sy.

Si ka mundësi që të protestohet dhe të mos dialogohet, kur je i ftuar t'i shtrosh në tryezë kërkesat?

Si mund të bëhet një punë e mbarë me ultimatume dhe si mund të adresohet për më tepër problematika komplekse e Universitetit, me kërkesa ultimative për tema shumë serioze që meritojnë të trajtohen seriozisht?

Si mundet që një protestë kaq e mbarë në qëllimin e saj të afishuar, të mos artikulojë akoma një përfaqësi për dialog me qeverinë?

Kam dëgjuar disa që thonë “s'duam negociata!”, por në fakt as ne s'kemi kërkuar negociata, por dialog, ballafaqim serioz në sytë e publikut dhe bashkëpunim për adresimin e problemeve të ngritura!

Është gati e pabesueshme fjala vjen, që shumëçka i kërkohet qeverisë, kur ligjërisht i është deleguar me kohë universitetit! A duhet folur për këtë? Qetësisht dhe zë për zë? Apo duhet vazhduar kështu, me një pjesë në rrugë që nis letra, pusulla, e-maile dhe postime në rrjet me kërkesa që bëhen mal dhe qeverinë që pret prej tre ditësh të ulet në tryezën e dialogut?

Mendoj se nuk është as e dobishme, as e drejtë për ata që s'kanë agjenda të tjera në këtë protestë.

Së fundmi dëgjova thirrjet nën dritare "Lindita dil në shesh!" dhe dola. Dola dhe jo që nuk më tha kush pse u thirra, por u refuzova! S'ka asnjë problem, por pyetja ime është e thjeshtë: Kur do të ulemi të flasim për problemet dhe të bashkërendojmë forcat për të adresuar zgjidhjet?

EMISIONET