Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla doli në një tjetër konferencë për mëdiat, për të thënë se miraton me të dyja duart kërkesat e studentëve.

Ajo tha se protesta e studentëve shërbeu si një reflektim për një debat shterues brenda Universitetit.

Nikolla: Më vjen shumë mirë që kam marrë një reagim inkurajues nga disa këshilla studentorë. Është e vërtetë që kemi kohë që presim për një angazhim edhe më të madh të studentëve për zbatimin e reformës në arsimin e lartë, për modernizmin jo vetëm të sistemit të financimit, por modernizmin në tërësi të çdo institucioni të arsimit të lartë.

Kjo protestë e studentëve tregoi sa pak informacion dhe sa pak komunikim kishte tek studentët.

Ndaj më shumë sesa rëndësia thjesht dhe vetëm për të shfuqizuar pikën 4 të VKM besoj se kjo protestë e studentëve ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion, shërbeu si një katalizator për një debat shterues brenda universitetit.

Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që më thotë që për kërkesat 2,3 dhe 4 të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga këshillat studentorë, ministria dhe universitetet. Jam dakord dhe besoj që kjo është rruga e duhur që ne përmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të ndërtojmë një dialog të shëndetshëm me të vërteta, ku bordet e administrimit, senatet dhe çdo aktor tjetër në jetën e universitetit, po ashtu ministria ti bëjë transparente dhe të debatojë me studentët për gjithcka që merret vendim për jetën universitare.

/Ora News.tv/