Simboli i Shqiponjës u vendos në hyrje të Tiranës 6 vite më parë në sheshin që më pas mori të njëjtin emër. Monumenti me një lartësi 6 metra, i gjithi në çelik është vepër e artistit Albi Çifligu ndërsa u mundësua nga kontributi financiar i familjes Destani nga Tetova.

Shqiponja u përurua në vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në një ceremoni që bëri bashkë Kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, Ish-Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha si dhe kryetarët e komunave dhe bashkive të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi.

Basha e cilësoi veprën simbol të forcës, një simbol që i mungonte kryeqytetit.

Por 6 vite më pas, ky monument u largua nga Sheshi Shqiponja pasi në vend të tij do të ndërtohet një mbikalim me tri nivele pjesë e Unazës së Madhe të kryeqytetit. Në reagimin e tij nw twitter rama shkruan se:

"Kurrë vulgariteti s'kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj "shqiponje" në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s!"

Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar veprimin si një hakmarrje sipas tij prej Neobllokmenit Edvin Kristaq Zografi per atin e tij shpirteror, xhelatin e shqiptareve Enver Hoxha.

Në rrjetet sociale po ashtu reagimet kanë qenë të shumta si pro dhe kundër. Ndërsa nuk kanë munguar vërejtjet për formën se si u largua, natën dhe pa konsultime.

Nuk dihet ende nëse monumenti do të rivendoset, por referuar fjalëve të kryeministrit që e cilësoi veprën vulgare vështirë të besohet se “Shqiponja” do të jetë pjesë e ndonjë hapësire të kryeqytetit.

/Ora News.tv/