Ngrirja e komunikimit të Listës Serbe me Thaçin me porosi të Beogradit

Ngrirja e komunikimit të Listës Serbe me Thaçin me porosi

Vendimi i Listës Serbe që të ngrijë marrëdhëniet me presidentin e Kosovës, është absurde, destruktive dhe veprim i porositur nga Beogradi, vlerëson kabineti i presidentit Hashim Thaçi.

Lista Serbe ka vendosur të ngrijë çdo komunikim me Presidentin e Kosovës, për shkak se politika e Presidentit, lidhur me pozitën e serbëve të Kosovës, siç thonë zyrtarët e kësaj liste, është antikushtetuese, antiligjore dhe në dëm të popullit serb.

Përmes një letre të hapur, të cilën Lista Serbe ia ka dërguar presidentit Thaçi, ajo proteston duke e konsideruar Presidentin përgjegjës për pozitën e keqe të serbëve, për shkak se nuk ka bërë asgjë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe e akuzon atë për ndërhyrje në çështjet politike të serbëve në Kosovë. Lista Serbe e akuzon presidentin Thaçi, siç thuhet, për presion mbi procesin zgjedhor në komunën e Parteshit dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar rezultatet  nga rrethi i parë i zgjedhjeve në këtë komunë me shumicë serbe, për manipulim të argumentuar dhe blerjes së votave të kandidatit të Listës Serbe.

Por, Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se letra e Listës Serbe është befasuese dhe e papritur, të cilës nuk i ka paraprirë asnjë takim dhe se arsyet që përmenden në letër, janë të paqëndrueshme.

Sipas tij, vendimi i Listës Serbe është befasues edhe për mjaft anëtarë të kësaj liste, sepse konsiderohet se për këtë vendim nuk është zhvilluar kurrfarë debati. Në emër të presidentit Thaçi, Çollaku ka shprehur keqardhje për veprimin dhe qasjen e Listës Serbe.

“Unë mendoj që një vendim i tillë dhe kjo letër e dërguar nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e saj, nuk e dëshmon se autorë të saj ose autor i kësaj letre është Lista Serbe. Mirëpo, mendoj që autor i vetëm i kësaj letre është Qeveria e Serbisë, e cila e ka iniciuar dhe e ka imponuar një vendim dhe një letër të tillë për çështje politike, taktike dhe strategjike. Kjo, sigurisht që nuk është hera e parë që përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës përdoren, manipulohen, ekskluzivisht për nevoja të Serbisë”, thotë Çollaku.

Çollaku shton se një nga arsyet e veprimit të këtillë të Beogradit dhe Listës Serbe është pikërisht fakti se presidenti Thaçi është duke zhvilluar fushatë intensive për promovimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës, shkruan REL

EMISIONET