Orangutangu më i vjetër në botë, i llojit Sumatran orangutang, ka ngordhur në kopshtin zoologjik të Australisë, në moshën 62 vjeçare, duke lënë pas 54 pasardhës, shkruan BBC.

Puan, kështu quhej orangutangu, është përshkruar si 'zonja e vjetër' e kopshtit zoologjik në Perth dhe iu injektua një gjilpërë për të ngordhur, si shkak i komplikimeve të lidhura me moshën e vjetër.

Ajo ka qenë në atë kopsht zoologjik që në vitin 1968 dhe njihej zyrtarisht nga rekordet botërore Guiness si më e vjetra në llojin e saj, në vitin 2016.

'Specie shumë e rrezikuar për t'u zhdukur, orangutangët e llojit Sumatran, rrallë arrijnë moshën 50 vjeçare në natyrë', shprehen nga kopshti zoologjik.

Besohet se Puan ka lindur në një xhungël në Sumatra të Indonezisë në vitin 1956 dhe ka lënë pas 11 fëmijë dhe një total prej 54 pasardhësish në SHBA, Europë dhe kudo tjetër.

"Ajo ka bërë shumë për koloninë në kopshtin zoologjik të Perth-it dhe për mbijetesën e species së saj" thotë supervizori Holly Thompson.

Disa nga pasardhësit e Puan janë lënë të lirë të kthehen në Sumatra.

/Ora News.tv/