Policia e shtetit arrestoi shkodranin e shumëkërkuar Sadetin Erkoçeviq , i dënuar për vrasje dhe që dyshohej se mbrëmjen e djeshme do të kryente një vrasje tjetër në Tiranë.

Mbrëmjen e së martës (13 gusht 2019), rreth orës 20:50 minuta, 28 vjeçari ka qenë në rrugën "Bilal Xhaferri" në Tiranë. 

I veshur me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra, syze të zeza dhe një çantë të vogël, i riu ka ngjallur dyshime teksa bënte lëvizje të dyshimta.

Pistoleta me fishek në fole

Policia nuk dha detaje për shënjestrën e të riut nga Shkodra apo motivin e vrasjes së parandaluar, ndërsa të kërkuarit iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri tip pistoletë me 14 fishekë, një prej të cilëve në fole.

" Eshtë bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore,  i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje" informoi sot, zëdhënësi i Policisë së shtetit, Gent Mullai në një prononcim për median nga ambientet e Drejtorisë së kësaj policie.

Nga të dhënat paraprake, blutë dyshojnë se kemi të bëjmë më vrasje me pagesë.



Kush është Sadetin Erkoçeviq?

Fotoja e Sadetin Erkoveçiq rezulton në listën e personave më të kërkuar nga policia e qarkut të Shkodrës. Pesë vite më parë, pikërisht më 10 maj 2014,  në një lolal me muzikë live në fshatin Zus të Shkodrës vritet Indrit Ylli 23 vjec dhe plagoset Jetmir Molla.  Më 15 shkurt të 2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë shpalli fajtor Erkoçeviq për këtë vrasje dhe e dënoi me 20 vite burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake".

Operacioni për arrestimin e tij  u kodua "Parandalimi"

Lexoni me shume: "Sherri për balerinën", si shkodrani vrau një dhe plagosi një tjetër në lokalin me muzikë live

Telefonatat në 112

Telefonatat e qytetarëve  në numrin unik 112 dhe denoncimet në Komisariatin Dixhital kanë ndihmuar në arrestimin e personave të rrezikshëm.  
"Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municoin luftarak" informoi Mullai.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.




/Ora News.tv/