Nevoja për mbrojtës, Tirana hedh sytë nga ish-ët e Kukësit

Nevoja për mbrojtës, Tirana hedh sytë nga ish-ët e

Tirana ka shfaqur interes për tu përforcuar në mbrojtje me Ylli Shametin. Gjirokastriti nuk rinovoi kontratën me Kukësin pasi drejtuesit i ofruan një marrëveshje të re, duke i minimizuar pagën.

Ky veprim nuk i pëlqeu kapitenit dhe vendosi të largohej pas gjashtë vitesh. 35 vjeçari dëshiron të qëndrojë në Tiranë pranë familjes dhe bardheblutë janë në kërkim për një mbrojtës qendre. Trajneri, Ardian Mema pohoi pak ditë më parë se Tirana ka nevojë edhe për një tjetër përforcim në repartin difensiv dhe Shameti mund të jetë futbollisti që do të vesh fanellën e 24 herë kampionëve të vendit në sezonin e ri.

Gjithashtu, një opsion edhe Ardian Cuculi, i cili ka dalë futbollist i lirë pasi mbylli bashkëpunimin me Kukësin. Presidenti, Refik Halili po ndërton një skuadër dinjitoze për ceremoninë  e 100 vjetorit të themelimit të klubit dhe i ka plotësuar çdo kërkesë stafit teknik.

Madje, ai ka pasur edhe një takim me futbollistët, ku i ka kërkuar seriozitet edhe vëmendje në sezonin e ri. Por në të njëjtën kohë i ka treguar edhe ambiciet që klubi ka në këtë sezon. Ky mesazh i presidentit mund të deshifrohet edhe si paralajmërim për problematikët.

Kujtojmë që pak kohë më parë, Hasani dhe Torassa u përplasen me njëri-tjetrin gjatë një seance stërvitore. Ndërsa gjatë sezonit të shkuar ka qënë Michael Ngoo, djali plan-prishës. Sot më 15 gusht, Tirana feston 99 vjetorin e krijimit dhe faqja bardheblu ka uruar të gjithë tifozët e saj.

"99 vite KF Tirana Urime ditëlindjen të gjithë tifozëve bardheblu. Ky do të jetë një vit jubile në pritje të 100 vjetorit të klubit. Ta jetojmë e ta shijojmë bashkë me premtimin se nuk do të festojmë vetëm në ditëlindjen e 100. Të gjithë bashkë Forca Tirona!"-shkruan faqja zyrtare e klubit në "Facebook".

EMISIONET