Nesër nisin zgjedhjet evropiane

Nesër nisin zgjedhjet evropiane

Vendet e Bashkimit Evropian do të nisin të enjten procesin zgjedhor për të caktuar përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian. Votuesit do të zgjedhin mes unitetit të kërkuar nga kampet politike tradicionale apo çintegrimit që mund sjellë një fitore e mundshme e partive euroskeptike anembanë kontinentit.

Zgjedhjet evropiane që mbahen ditën e enjte deri në fundjavë pritet të vënë përballë tradicionalistët përballë populistëve.

Sondazhet parashikojnë që një numër i madh i posteve të partisë popullore, socialiste dhe demokrate do u kalojnë përfaqësuesve të ekstremit të djathtë dhe mbështetësve të italianit Mateo Salvini, francezes Marin Lë Pen, hungarezit Viktor Orban dhe partive simotra nacionaliste.

11 prej këtyre të fundit u zotuan fundjavën e kaluar në qytetin italian të Milanos që ta çlirojnë kontinentin nga uzurpatorët aktualë të Brukselit, dhe të bëhen grupimi i dytë më i madh politik në BE.

Ndërkohë, nga kampi pro-europian, presidenti francez Emanuel Makron ka bërë thirrje për unitet dhe jo ndasi, pasi vota për rivalët e tyre do të nënkuptonte shpërbërjen e një projekti 75-vjeçar.

Procesi zgjedhor në 28 vendet anëtare është planifikuar të nisë të enjten me Holandën dhe Britaninë e Madhe, ku problematikat që u janë shtruar votuesve variojnë nga taksat te politikat ambientaliste dhe deri te Brexit.

Në Gjermani dhe Francë tema kryesore kanë qenë klima dhe ngushtimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, ndërsa është tentuar të zhvendoset vëmendja edhe te karta e antiemigracionit, sikurse në Itali, Austri dhe disa vende të Evropës Veriore.

Këto do të jenë zgjedhjet e nënta që Parlamenti Evropian organizon prej vitit 1979.

Në to do të votohen mbi 700 europarlamentarë ndërsa postet do të shpërndahen mbi bazën e numrit të popullsisë.

Ndryshe nga viti 2014, pjesëmarrja në votime këtë vit pritet ta kalojë vlerën 42 për qind dhe më shumë qytetarë do të shprehin pikëpamjet rreth së ardhmes së kontinentit.

EMISIONET