Sopranoja e njohur shqiptare me fame botërore, Ermonela Jaho vjen në Shqipëri në kuadër të fazës së dytë të projektit “Master Class” me talentet e reja nga trojet shqiptare. Artistja vjen në Tiranë pas nominimit nga publiku në International “Opera Awards, çmim të cilin nëse e fiton, ia dedikon operas shqiptare. Sopranoja shqiptare e njëherazi një nga zërat më të shquar lirikë të operas botërore, Ermonela Jaho prej katër ditësh po punon në Teatrin e Operas dhe Baletit për të ushtruar zërat e rinj lirikë në kuadër të fazës së dytë të projektit “Master Class” me talentet e reja të Operës në Tiranë. Sopranoja thotë se Shqipëria ka shumë talente lirikë. Jaho: Nuk është thjesht pse unë po vi dhe po jap eksperiencën time me këta këngëtarë, me këta artistë të rinj që unë  i quaj kolegët e mi të rinj, por bëhem unë një njeri më i mirë, një artiste më e mirë sepse është një shkëmbim emocionesh. Mos harrojmë që secili prej nesh është unik dhe ka atë emocionin e veçantë, mënyrën sesi shprehet, sidomos në muzikë. Cilësitë vokale janë sepse.., janë fantastike mund të them dhe ndoshta kjo tokë me këtë lloj historie i ka dhënë një karakteristikë kaq të veçantë tingullit të zërave shqiptarë që e dallojnë nga të gjithë zërat nëpër botë. Ermonela Jaho vjen në Shqipëri pas nominimit për çmimin e publikut ne Internacional “Opera Awards”, çmim te cilin nëse e fiton me 15 maj ia dedikon operas shqiptare. Jaho: Po lakohet një këngëtare shqiptare dhe të nominohet një këngëtare shqiptare nga publiku mendoj që kanë parë botën, shpirtin e një artisti shqiptar nëpërmjet syve të një artisti shqiptar. Dhe nëse kjo fitohet, shpresoj, po nuk ka rëndësi, është një hap përpara për operan shqiptare. Artistja shqiptare e finalizon punën e saj me zërat e rinj lirikë, me një koncert që do të mbahet mbrëmjen e së shtunës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Koncerti do të ketë arie nga Gond, Puccini dhe Donizzeti.  

/Ora News.tv/