Nën diktatin e vullkanit

Nën diktatin e vullkanit

Shpërthimi i vazhdueshëm i vullkanit Kilauea ka sjellë shkatërrimin e 26 shtëpive në Ishullin e Madh të Hauait. Qindra banesa të tjera, ndërkohë, janë nën kërcënimin e llavës, për shkak të çarjeve të reja vulkanike të krijuara përgjatë natës. Rreth 2.000 persona janë evakuuar deri më tani nga zona e rrezikut.

Ka shkuar në 26 numri i shtëpive të shkatërruara në Ishullin e Madh të Hauait, teksa dy çarje të reja vullkanike janë krijuar gjatë natës pranë malit Kilauea, duke e çuar numrin total të tyre në 10.

Sipas shkencëtarëve, llava e nxjerrë prej këtyre çarjeve ka arritur një lartësi deri në 70 metra në ajër dhe është përhapur në një sipërfaqe rreth 36.000 metër katror.

Afro 2.000 banorë janë detyruar të evakuohen për shkak të situatës. Disa persona janë lejuar të rikthehen në banesat e tyre për të shpëtuar kafshët apo sende të tjera të vlefshme, por autoritetet kanë deklaruar se nuk është e sigurtë për ta të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Sakaq, autoritetet paralajmërojnë shpërthimin e mëtejshëm të vullkanit në ditët në vijim, për shkak të magmës që ende ndodhet në sistem.

Aktiviteti i fundit vullkanik filloi kur pjesët e kraterit të mbushur me llavë filluan të rrëzoheshin të hënën e kaluar.

Ishulli u godit për pasojë nga një sërë lëkundjesh të tokës, përfshi edhe një tërmet me magnitudë 6.9 ballë që u regjistrua ditën e premte.

Kujtojmë se Kilauea është një prej vullkanëve më aktivë të botës dhe ka qenë në shpërthim të vazhdueshëm për 35 vite.

 

 

EMISIONET