Negociatat për detin, Kotzias: Shpresoj për një marrëveshje deri në fillim të qershorit

Negociatat për detin, Kotzias: Shpresoj për një marrëveshje

Ministri i Jashtëm grek ka shprehur sërish optimizmin për arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë lidhur me delimitimin e zonave detare.

Ndryshe nga një javë më parë, kur kishte përcaktuar fundin e majit si datë për finalizimin e negociatave, Kotzias i ka dhënë një shtyrje të vogël këtij afati.

“Shpresoj deri në fund të majit të kemi një marrëveshje. Në mos në fund të majit, në fillim të qershorit”, ka theksuar Ministri i Jashtëm grek në një intervistë për televizionin vendas, SKAI, vonë mbrëmjen e të martës.

Kotzias më tej ka shtuar se pas përfundimit të negociatave me Shqipërisë, Greqia do të nisë negociatat me Italinë. Edhe pse ka një marrëveshje që nga viti 1977, disa prej zonave detare midis të dy vendeve nuk janë delimituar ende.

Në intervistë, Ministri i Jashtëm grek ka shpjeguar me detaje qëndrimet e Athinës për negociatat me Shkupin që aktualisht duket se kanë ngecur.

Kotzias është shprehur spektik nëse do të mund të arrihet një marrëveshje deri në samitin e NATO-s, ku vendi fqinj shpreson të marrë ftesën për anëtarësim.

“Nuk është një afat i arritshëm”, ka vlerësuar Ministri i Jashtëm grek.

Por ai ka shtuar se për marrjen e ftesës nuk duhet medoemos vendim i samitit.

Sipas tij kjo mund të bëhet edhe në mbledhjen e përfaqësuesve të përhershëm dhe më pas të thirret një samit i jashtëzakonshëm, për t’i dhënë cilësinë e një ngjarjeje të shënuar.



EMISIONET