Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, deklaron se vendet anëtare të Bashkimit Europian do të jenë përcaktuese për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Duke mos shprehur asnjë dyshim që raporti i Komisionit Europian do të jetë pozitiv, Soreca deklaroi në RTV Ora se topi do ti kalojë shumë shpejt Këshillit Europian, nga i cili shpreson për një përgjigje pozitive.

 Luigi Soreca: Besojmë që 88 % e qytetarëve shqiptarë mendojnë që jeta e tyre do të përmirësohet shumë nga anëtarësimi në BE. Kjo na vendos edhe ne si BE në një pozicion sipas të cilit duhet të japim rezultatet tona. Pra KE së shpejti do të japë raportin e vet për vitin 2019 dhe unë shpresoj por kam dhe besim që do të tregojmë se kush jemi dhe do ta kalojmë topin tek Këshilli. 

Beti Njuma: Duket sikur këta të rinj, por edhe qytetarët e Shqipërisë ata që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, po paguajnë haraçin e një klase politike grindavece, një klase politike që sa herë ka rotacion pushteti bën akuza për kundërshtarin politik për krim, korrupsion, për shitblerje vote, për kanabizim të Shqipërisë. Edhe sa kohë do të duam ta paguajmë këtë haraç? Kur do të çelen negociatat për Shqipërinë?

Luigi Soreca: Ishte shumë interesante, gjatë takimit dje me të rinjtë tek Liceu "Jordan Misja" në Tiranë. Ata po flisnin për këtë haraç që po paguhet edhe unë i thash: 'Ju keni çmim për të paguar për faktin që ende duke pritur për çeljen e negociatave, ju dëshironi që diçka të bëhet për ju me padurim’. Tani në këtë moment edhe ne e duam këtë gjë, por sistemi politik edhe ai duhet të ndihmojë, që ky çmim apo haraç të jetë sa më i ulët që të jetë e mundur. Prandaj ne shpenzojmë kaq shumë nga koha jonë duke u përpjekur, të bindim të gjithë spektrin politik për të dëgjuar zërin e të rinjve. Të dëgjojnë nevojat e tyre sepse në fund të fundit ata njerëz që unë takohem dita-ditës janë aq të zgjuar, pra këta të rinj. Ata janë shumë potencial i madh i këtij vendi. Ata meritojnë më të mirën e mundshme. Mendoj se në një vend ku 40% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, ana politike duhet ti dëgjojë dhe ti shikojë ata si e tashmja, e ardhmja e vendit, por edhe e ardhmja e BE-së. Edhe ne punojmë për të ardhmen e tyre.

Beti Njuma: Do të jetë muaji shtator stacioni i fundit, përpara se të nisim një rrugëtim të ri drejt BE-së?

Luigi Soreca: Besoj që ju i referoheni mundësisë së shtyrjes së vendimit. Ajo që mund të them është që Komisioni Europian në fund të këtij muaji do të publikojë raportin vjetor për Shqipërinë. Unë jam besimplotë që ashtu si e tha edhe Përfaqësuesja e Lartë dhe zëvendës Presidentja e Komisionit dhe Komisioneri Hahn e kanë thënë në mënyrë publike po ecën në drejtimin e duhur dhe po e them këtë në mënyrë diplomatike. Nuk dëshiroj të them diçka sepse në fund të fundit Komisioni ka për të marrë vendimin, por më pas është presidenca Rumune e Këshillit të BE-së që vendos edhe për substancën edhe për afatin kohor. Kështu që për momentin afati i takimit është qeshori 2019.Unë e kam dëgjuar, ju e keni dëgjuar që ka disa shtete të BE-së që kërkojnë pak më shumë kohë, pasi mendojnë që koha që nga fundi i muajit maj dhe deri në mes të qershorit, për të marrë në konsideratë raportin e KE-së nuk është e mjaftueshme, prandaj kërkojnë më shumë kohë për ta shqyrtuar atë. Nuk është marrë vendim për këtë gjë ende, kështu që unë respektoj institucionin dhe institucioni përgjegjës nuk e ka marrë këtë vendim. Në rast se ndodh shtyrja, diçka për të cilën ne nuk bëjmë thirrje, pasi mendojmë që Shqipëria ka pritur tashmë një vit të tërë për të marrë vendimin dhe vendimi duhet të merret në qershor. Por në rast se do të shtyhet vendimmarrja unë shpresoj fort që autoritetet shiptare do ta përdorin atë kohë për të vazhduar progresin e reformave. Ka disa fusha shumë të rëndësishme, në të cilat duhet përshpejtuar. Përshembull Gjykata Kushtetuese duhet të rifillojë, SPAK-u duhet të fillojë punën dhe zbatimi i rekomandimeve zgjedhore që do të merren parasysh. Ndaj shpresoj që koha nuk do të shpenzohet më kot.

Beti Njuma: Mogherini tha dy ditë më parë që ju detyrat i keni bërë, por mesazhi ishte që negociatat do të varen edhe nga zgjedhjet edhe nga vullneti i vendeve të tjera anëtare. Ju si mendoni?

Luigi Soreca: Së pari isha i nderuar që ne patëm Frederica Mogherinin këtu në Tiranë për ditën e Europës. Ishte vërtet privilegj që ajo të ishte këtu në Tiranë. Por jo ishte këtu edhe për Samitin e Udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në të cilin ajo mori pjesë dhe ishte një aktivitet me të vërtetë pozitiv. Mori pjesë ajo, por kam marrë pjesë edhe unë. Unë shpresoj shumë që Shqipëria pas këtij Samiti e ka treguar edhe një herë kontributin pozitiv ndaj rajonit. Mogherini tha që ajo pret një rekomandim pozitiv dhe unë jam tërësisht dakord me të dhe ajo sigurisht që do të zhgënjehet në rast se nuk ndodh kështu. Edhe unë do të zhgënjehesha, por ne duhet të respektojmë mënyrën se si është i organizuar Bashkimi Europian. Do të jenë shtetet anëtare që në qershor do të shprehin mendimin e tyre. Gjatë këtij viti në shumë fusha është bërë shumë, që ende duhet bërë punë dhe ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve shqiptare që të vazhdojnë punën e tyre dhe le të shpresojmë që do të kemi lajm të mirë. 

 Lexoni intervistën e plotë në RTV Ora, Soreca: Respektoj vendimin e opozitës për mandatet

 

/Ora News.tv/