Dy raste më pak të prekur se viti i shkuar. Është ky bilanci i të prekurve me HIV AIDS në Shqipëri për këtë vit, i cili bëhet me dije nga ISHP. Specialistët apelojnë për mjekim më të hershëm të virusit, pasi rreth 60 % e rasteve shfaqen në stade të avancuara.

Në Shqipëri numri zyrtar i personave të infektuar me virusin HIV gjatë këtij viti është 92.  

Instituti i shëndetit publik raporton për 2 raste më pak se vitin e shkuar, në të cilin numri i të infektuarëve ishte 94.

Deri më tani, që prej vitit 1993 janë rreth 1195 raste në total, nga të cilat  71% e të prekurve  janë meshkuj dhe 29 % femra.

Roland Bani: Sa i takon grupmoshës i takon asaj seksualisht aktive midis 24-44 vjeç, ku është 50% e rasteve të infektuar me HIV/AIDS.

Specialistët e ISHP tregojnë se cilat janë shkaqet e infektivimit me HIV.

Roland Bani: Në Shqipëri 95% e rasteve të diagonstikuara janë infektuar nëpërmjet marrëdhënieve të pambrojtura.

Por, virusi HIV AIDS  transmetohet edhe nga nëna te fëmija

Roland Bani: Sa i takon numrit total të rasteve të transmetimit nga nëna tek fëmija kemi pasur 35 raste, vetëm në 2018 kemi pasur 2 raste. Shumë e rëndësishme për gratë shtatzëna të testohen.

Roland Bani informon  se 60 % e rasteve janë paraqitur në stade të mëvonshme, duke e bërë edhe më të vështirë mjekimin nga virusi Hiv. Sakaq, të dhënat e shoqata e hiv aids bëjnë me dije se numri total i vdekjeve nga ky virus është 232 persona.

/Ora News.tv/