Ndërsa kryeministri Edi Rama pritet të zbulojë tarifën e re të lëvizjes në Rrugën e Kombit për kuksianët, në pikën e pagesës po punohet për ngritjen e sistemit të ri, pas djegies në protestën e 31 marsit.  Aktualisht punohet për rrjetin elektrik e elektronik, ndërsa vendosja e kabinave duket se do të kërkojë edhe pak kohë. Por raportimet se qeveria është drejt përmbylljes së negociatave me koncensionarin, banorët, të zgjedhurit lokalë dhe grupet e interesit në Kukës kanë rikonfirmuar qëndrimin se janë kundër çdo pagesë, ndaj i bëjnë thirrje qeverisë që të mos i provokojë sërish.

Në Rrugën e Kombit po punohet për rivendosjen e terminaleve të pagesës.

Punëtorë e inxhinierë janë përqëndruar në riparimin e lidhjeve elektrike dhe elektronike, të dëmtuara plotësisht gjatë protestës së 31 marsit.

Pikat e pagesës po shtohen, ndërsa për rivendosjen e kabinave duket do të duhet edhe disa kohë, siç thonë jashtë kamerave punonjës pranë terminalit.

Datën nuk e konfirmon asnjë prej palëve, por ajo që është bërë e qartë është se aty do të rikthehet trau i pagesës.

Vlera e tarifës për lëvizje ende nuk dihet. Ajo pritet të prezantohet nga kryeministri Edi Rama, i cili premtoi ulje për baorët e Kukësit, por këta të fundit nuk kanë ndyshuar mendim. Ata janë kundër pagesës.

"Ne na takon falas direkt".

"Edhe e lehtë në qoftë, niveli jonë ekonomik nuk e përballon dot".

Në Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak të Kukësit thonë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi tarifën e re apo datën kur do të nisi aplikimi.

Arif Rexhmati, kryetar i PD, Kukës njëherësh kryetar i këshilltarëve të djathtë, të vënë në krye të organizimeve kundër tarifës, i kërkon kryeministrit Edi Rama të mos provokojë sërish Kukësin, pasi përgjigja sipas tij do të ishte e pakëndshme.

Arif Rexhmati: Ne jemi të vendosur që taksa në Rrugën e Kombit nuk do të pranohet. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të mos gabojë për së dyti me Kukësin, sepse përgjigjia nuk do të jetë e këndshme.

Qëndrimin kundër çdo tarife e ruan edhe Shoqata Biznesi për Biznesin, ku kryetari Sokol Kolgjini flet për mungesë të konsultave serioze mes qeverisë dhe komunitetit.

Sokol Kolgjini: Duhet të bënte konsulta me publikun, komunitetin që në dijeninë tonë nuk janë bërë.

Prej 31 marsit, kur pikat e pagesës u dogjën gjatë protestës së kuksianëve, në Rrugën e Kombit lëvizet pa pagesë.

 

/Ora News.tv/