Një grup prindërish, të cilët kanë kundërshtuar menynë e re ushqimore në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, duke kërkuar sqarime dhe transparencë për ndryshimet e bëra, i janë drejtuar së fundi edhe Avokatit të Popullit për këtë çështje.

Prind: “I bëmë një kërkesë zyrtare kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe ministres së Shëndetësisë. 

Deri më sot ne nuk kemi marrë asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me specialistë të Institutit të Shëndetit Publik ose grupit të punës, të cilët janë përgjegjësit e vendosjes së menysë së re. Nuk kemi marrë asnjë takim si prindër as nga Bashkia e Tiranës, as nga Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve. 

I jemi drejtuar Avokatit të Popullit me një ankesë dhe një kërkesa për ta takuar.”

Prindërit thonë se shqetësimet për menynë e re ushqimore i kanë paraqitur edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë, por në shkresën që ky dikaster u ka dërguar pak ditë më parë, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Prind: “Në lidhje me kërkesat që ne kemi bërë si prindër ne nuk e kemi marrë këtë përgjigje nga Minsitria e Shëndetësisë. 

Na mungon transparenca që e kemi ngritur që në fillim. 

Mungesa e transparencës të gjithë procesit, të gjithë studimit që u krye për të realizuar këtë ndryshim pas dy vitesh, e gjithë transparenca e tenderimit që u zhvillua, të gjitha problematikat dhe dyshimet që ne kemi shfaqur që vaji i ullirit vjen me shishe plastike.”

Një nga ushqimet më të kundërshtuara në menynë e re, e cila ka nisur të ofrohet nga mesi i muajit shkurt, është tërshëra.

Prind: "Disa nga ushqimet që janë futur si risi dhe që pretendohet se mund të jenë edhe në ushqimet që hanë fëmijët në kopshtet dhe çerdhet europiane, ne nuk na rezulton kështu, siç është rasti i tërshërës. 

Në kopshtet dhe çerdhet europiane nuk hahet kjo lloj tërshëre. Mund të jetë dhe një nga ushqimet me probleme që mund të ndikojë në vitet në vazhdim tek shëndeti i fëmijëve.”

Pas marrjes së përgjigjes nga Avokati i Popullit, prindërit do t’i drejtohen edhe Prokurorisë, që të nisë hetimet për procedurën e tenderimit të ushqimeve për fëmijët që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës.

/Ora News.tv/