Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përfunduar shqyrtimin e 55 projektvendimeve për shpërndarjen  e mandateve të këshilltarëve bashkiakë, të cilat kanë mbetur pa vendim për shkak të mosplotësimit të kuorumit. 5 ankimime janë depozituar në Kolegjin Zgjedhor nga Bindja Demokratike, ndërsa një tjetër nga kandidati i pavarur Leonidha Kristo për bashkinë e Finiqit. Do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të vendosë për shpërndarjen ose jo të mandateve të këshilltarëve, pas ankimeve që priten nga PS.

Pavarsisht paralajmërimeve se do të ankimonin në Kolegjin Zgjedhor të gjitha kërkesat e rrëzuara nga KQZ, Bindja Demokratike ka depozituar vetëm 5 të tilla për anëtarët e këshillave bashkiakë.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përfunduar të mërkurën mbledhjet proceduriale për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë, të cilat janë bllokuar për shkak të votës kundër të kryetarit Klement Zguri.

Në mbledhjet e KQZ-së kanë kaluar projektvendimet e 55 bashkive në vend, pasi 6 të tjerat janë të ankimuara në Kolegj Zgjedhor, 5 nga Bindja Demokratike dhe 1 nga kandidati i pavarur për bashkinë e Finiqit, Leonidha Kristo.

Mosplotësimi i kuorumit të nevojshëm prej 5 votash në KQZ, i ka kaluar  Kolegjit Zgjedhor të gjithë peshën e vendimmarrjes për mandatet e anëtarëve të  këshillave bashkiakë.

Deri tani PS ka ankimuar në Kolegj 20 bashkitë e para, ndërsa pritet që të ankimojë dhe 35 të tjerat brenda afatit 5 ditor.

Në pritje të këtij afati të paracaktuar, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të zhvillojë mbledhjen e radhës pas datës 22 korrik.

 

/Ora News.tv/