Me afrimin e datës së shumëpërfolur 21 dhjetor, mbështetur mbi kalendarin e Maja-ve, rrjetet sociale janë përmbytur nga mesazhet për fundin e botës. Të shumta kanë qenë postimet në internet për ditët e famshme të errësirës, që do të pushtojnë globin, të ftohtin siberian, që do të tejkalojë shifrat aktuale e do të arrijë deri në minus 100 gradë celsius, apo për rreshtimin në një linjë të të gjithë planetëve. Të gjitha pikëpyetjet tuaja, marrin përgjigjen: Jo! Bota nuk do të përmbyset. Pyetjes, ‘Po sikur të ndodhë?’ i përgjigjet me argumente shkencore NASA, agjencia amerikane, një pionere në eksplorimin e hapësirës. “Toka ia ka dalë shumë mirë për 4 miliardë vjet, - thotë NASA, - dhe shkencëtarët e besuar, në të gjithë botën, e dinë se nuk ka asnjë kërcënim, që lidhet me vitin 2012”. Origjina e predikimeve për fundin e botës lidhet me historinë mbi Nibirun, planetin e zbuluar nga sumerët, i cili i është drejtuar Tokës. Sipas gojëdhënave, fillimisht u predikua për fundin e Tokës në maj të 2003, më pas, ngaqë asgjë nuk ndodhi, data e kobtë u zhvendos në dhjetor 2012, e lidhur me fundin e një prej cikleve të kalendarit të Maja-ve. Sipas NASA-s, nuk ekziston një planet me këtë emër, apo planeti X. Nëse do të ekzistonte, shkencëtarët do ta kishin parë. A do të ketë një blackout të plotë mbi Tokë nga 23-25 dhjetor? NASA përgjigjet sërish jo. A mund të rreshtohen planetët në një mënyrë të tillë, që do të ndikojnë Tokën? NASA dhe shkencëtarët e saj thonë se nuk do të ketë një rradhitje në një vijë të planeteve, madje as në dekadat e ardhshme, por edhe nëse kjo mund të ndodhë, efektet e tyre mbi Tokën do të jenë të papërfillshme. NASA i referohet vitit 1962, 1982, 2000... Në çdo muaj dhjetor, Toka dhe Dielli radhiten me qendrën më të afërt të Galaktikës “Rruga e Qumështit”, por ky eveniment ndodh çdo vit dhe nuk sjell asnjë pasojë. Pyetjes se si ndjehet NASA për zërat që qarkullojnë sot nëpër botë, agjensia amerikane e hapësirës i përgjigjet: Për çdo pretendim, ku është shkenca, ku janë faktet? Nuk ka asgjë, thjesht pohime të trilluara, të shkruara në libra, të para në filma, dokumentarë, apo në internet, ne nuk mund ta ndryshojmë këtë fakt. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme, për të gjithë pohimet e bëra, që mbështesin se një ngjarje e jashtëzakonshme, apokaliptike, fundrrënuese do t’i ndodhë planetit dhe njerëzimit në vitin 2012.

/Ora News.tv/