Në 2020, Censi për popullsinë dhe banesat, në pyetësor edhe feja

Në 2020, Censi për popullsinë dhe banesat, në pyetësor

Pas 9 viteve, INSTAT do të numërojë popullsinë dhe banesat në vendin tonë për të gjeneruar statistikat e reja demografike. Përpara se të nisë në terren procesi, INSTAT po konsulton draftin e ri me grupet e interesit ndërsa për herë të parë pyetësori do të përmbajë pyetje për besimin fetar dhe etninë. 

Në 2020 Shqipëria do të ketë statistikat e reja zyrtare për numrin e popullsisë, banesave, etninë, ekonominë dhe religjionin.

Pas vitit 2011, INSTAT parashikon që Censi i Popullsisë dhe Banesave të realizohet më të njëjtën metodologji, atë të përpilimit të pyetësorit dhe më pas realizimin e intervistave në mënyrë të drejtëpërdrejtë me banorët.

Por ky numërim do të vijë me një bazë të re ligjore, draft i cili po konsultohet me grupet e interesit dhe dokumenti pritet të jetë i plotë në shtator të këtij viti.

Drejtorja e INSTAT, Delina Ibrahimaj, thotë se pyetësori do të ndahet në dy shtylla; në pyetje të detyrueshme dhe jo të detyrueshme.

Delina Ibrahimaj: Pyetësori është ndarë në dy shtylla, pyetjet thelbësore të cilat janë të detyrueshme dhe pyetjet jo thelbësore të cilat nuk janë të detyrueshme për tu përgjigjur.Blloqet e pyetjeve janë për karakteristikat gjeografike, për karakteristikat demografike, për migracionin, për karakteristikat ekonomike të popullsisë, për personat me aftësi të kufizuar, ka disa pyetje për karakteristikat e bujqësisë dhe për karakteristikat etnokulturore.

Pyetësori për herë të parë do të adresojë tek popullsia pyetje për besimet fetare.

Por në këtë rast, besimi si një e drejtë personale, nuk është një pyetje e detyrueshme.

Delina Ibrahimaj: Ne kemi menduar që në draft-pyetësorin të përfshijmë pyetjet për fenë dhe etninë, megjithatë pyetjet nuk do të jenë të detyrueshme. Pra individët do të jenë të lirë të zgjedhin ti përgjigjen apo të mos u përgjigjen këtyre pyetjeve me qëllim që të mundohemi të evitojmë sa më shumë debatet që kanë qenë në të kaluarën. Pyeten individët cilës përkatësi fetare i përkasin dhe gjithashtu nëse janë pjesë e një grupi etnik të caktuar.

Për të shmangur problemet me të dhënat personale, INSTAT ka kërkuar bashkëpunim me Komisionerin që mbron këto çështje dhe ka ndjekur standardet e vendeve evropiane, Kombet e Bashkuara dhe Zyrës Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat).

Delina Ibrahimaj: Ky aktivitet dhe rezultatet e këtij aktiviteti nuk i shërbejnë vetëm shtetit shqiptar për hartimin e politikave të tij sociale dhe ekonomike por shërben si bazë krahasueshmërie me vendet e tjera, jo vetëm të rajonit por gjithë Europës dhe botës.

Nga Censi 2020 përjashtohen diplomatët dhe përfaqësuesit diplomatik me mision në Shqipëri.

 

EMISIONET