Bizneset aktive që operojnë në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2017 kanë pësuar ulje me rreth 0.8%. Këto janë të dhënat e raportua prej INSTAT. Ndërkohë bëhet e ditur se pavarësisht kësaj situate, numri i të punësuarve është rritur.

Gjatë vitit 2017, INSTAT raporton se ka një rënie të bizneseve aktive. Në këtë periudhë operuan 107.671 ndërmarrje që rezulton 0,8 % më pak, krahasuar me vitin 2016.

Megjithatë raportohet se ka një rritje të numrit të të punësuarve me 4.9 për qind. Xhiro totale e bizneseve arriti në rreth 16 miliardë euro.

Gjatë vitit 2017, sektori i tregtisë vijon të mbajë peshën më të lartë të shitjeve, i ndjekur nga sektori i ndërtimit.

Sektorët me peshën më të vogël janë akomodimi dhe restorantet dhe sektori i industrisë nxjerrëse.

Bizneset e vogla me 1-4 të punësuar përbëjnë 88% të totalit të subjekteve me rreth 95 mijë të tilla.

Ndërmarrjet e mëdha me mbi 50 të punësuar përbëjnë vetëm 1.2% të totalit. Gjatë vitit 2017, investimet e realizuara u rritën me 4,5 %.

Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2017 ka investuar 99 miliardë lekë, duke zënë 42.9 % të investimeve gjithsej.


/Ora News.tv/