Ndroqi pret “Vera n’Shesh”, festa e produkteve vendase dhe kulinarisë

Ndroqi pret “Vera n’Shesh”, festa e produkteve vendase dhe

“Vera n’Shesh” mblodhi bashkë dje pasdite banorët e zonës së Ndroqit, prodhues dhe miq të apasionuar pas produkteve vendase dhe kulinarisë, në një mjedis të rrethuar nga gjelbërimi dhe muzika fantastike e artistëve të Ansamblit të Tiranës.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me “Risi Albania”, organizoi një minipanair për prezantimin e produkteve agro-ushqimore dhe prodhimet artizanale, me synim kthimin e kësaj feste në një traditë të bukur për promovimin e produkteve vendase, por edhe vendosjen e zonës në hartë si atraksion turistik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi disa nga stendat e panairit dhe e cilësoi organizimin e tij një risi për zonat periferike të qytetit, që duhet të kthehet në traditë. “Kjo festë është një risi për t’u bërë apel ndjenjave pozitive, ndjenjës që kemi për tokën ku kemi lindur, për bujqësinë, për shtëpinë e gjyshit, për të afërmit, ndjenjën që kemi për rrethinat e Tiranës. Mendoj se sot kemi hedhur gurin e parë të një feste, ndoshta për herë të parë modeste, me njerëz të ardhur nga çdo cep i Tiranës, e cila e ka shansin të kthehet në një traditë të bukur”, deklaroi ai.

Veliaj kërkoi prej banorëve të zonës që të orientohen drejt zhvillimit të agroturizimit dhe të përfitojnë nga fondet e vendosura në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR-ja për zhvillimin e këtij biznesi. “Sot turizmi numër një në Itali e Greqi nuk është deti. Për herë të parë ka qenë agro-turizmi, turizmi në fshat. Ndaj, dua t’ju ftoj të gjithëve të përdorim fondet e Ministrisë së Bujqësisë, AZHBR-së, për ta kthyer shtëpinë ose dhomat shtesë, në një lloj bujtine. Ndaj, kush i ka mundësitë, duhet të fillojë ta mendojë si biznes të mirëfilltë familjar. Bashkia e Tiranës do bëjë çmos që të ndihmojë secilin për aplikimet”, tha ai.

Kryebashkiaku nuk harroi t’u bënte thirrje qytetarëve që të konsumojnë vetëm produkte të zonës, duke kontribuar edhe në rritjen e ekonomisë lokale. Ai siguroi se festa të tilla do të kthehen në traditë për kryeqytetit, për të promovuar dhe rritur emrin e markave vendase. “Kemi marrë përsipër që, përveç festës në shesh që duam ta bëjmë çdo vit, në Shëngjergj do të bëjmë festën e domates, në Baldushk do të vazhdojmë me festën e gjelit të detit, diku tjetër me festën e mjaltit, mandej me festën e vajit të ullirit; në qoftë se të gjitha rrethinat e Tiranës mbushen me aktivitete të tilla, besoj se do t’i japim emër markave “Made in Tirana” dhe “Made in Albania”, u shpreh ai.

Veliaj u shpreh mirënjohës për “Risi Albania” dhe kolegët nga ambasada e Zvicrës. “Kam edhe një falenderim të veçantë për mikun tonë, kryetarin e PD këtu, Dash Bituli, që na ka dhënë pronën e vet për organizimin e kësaj feste fantastike. U japim një leksion edhe atyre në Tiranë, që pasi fiket televizori, bashkëpunojmë për bukuri. Ne shqiptarët jemi shumë pak për t’u përçarë dhe për t’u grindur për ideal të partisë. Nuk besoj se ka ideal më të madh se ideali i atdheut, qytetit, fshatit, i vendit tënd, i familjes tënde, i fisit tënd”, tha ai.

“Vera n’Shesh” është një nga projektet e fituara nga Bashkia e Tiranës në konkursin e parë kombëtar të quajtur “Festat Lokale” për zonat bregdetare, juglindore dhe zonat e identifikuara në strategjinë e “100 Fshatrave”, për nxitjen e zhvillimit të festivaleve tradicionale me fokus rreth aktiviteteve gastronomike dhe tradicionale, rreth aktiviteteve kulturore, fetare dhe historike.

EMISIONET