Ndjesë Piktorit dhe gjithë kundërshtarëve të tij!

Ndjesë Piktorit dhe gjithë kundërshtarëve të tij!

Nuk është se jemi popull i vetëm në botë që kemi ngritur në  piedestalin e lartë politik dhe shtetëdrejtues edhe individ të cilët po i  çove në psikiatër nuk të lejojnë qe t’i marrësh e t’i  kthesh në  shtëpi, por jemi ndër popujt e rrallë qe duket se e duam politikanin  injorant, hajdut e kriminel, sepse besojmë se më të ia del me lehtë se  sa me të mençurin, të ndershmin dhe të dinjitetshmin.  

‘Shqipëritë’ tona nuk janë vendet e vetme të marra peng nga kriminelët  që e kontrollojnë politikën dhe nga politikanët që e drejtojnë krimin,  sepse të tilla vende ka edhe në Afrikë e  Amerikën Latine, por ne jemi  ndër të rrallët që kemi filluar të bëhemi të pandjeshëm ndaj fatit tonë  të këtillë kolektiv, kështu që qysh në lindje i bëjmë fëmijët tanë gati  për ta braktisur vendlindjen, duke u vënë emra që nuk do i identifikojnë  se janë shqiptarë.  

Nuk është se vetëm ne mashtrohemi nga ata  që duan të bëhen gjithçka, të cilëve edhe kur u tregon se pulaxhinjtë  kanë themeluar federatën e tyre, pyesin pse nuk i kanë lajmërua e pse  nuk i kanë zgjedhur kryetar të tyre, e nëse ua ofron këtë post, të  pyesin të ofenduar se mos vallë të ngjajnë në pulaxhi! Pra nuk jemi ne  të vetmit që mashtrohemi nga ata që mungesa e fizionomisë përcaktuese i  bënë të pranueshëm për të gjithë, por kemi filluar t’i ngjajmë popullit  që i parapëlqen gënjeshtarët që duan të bëhen çdo gjë, vetëm pse nuk  vlejnë asgjë, se i duam batutaxhinjtë që mes këngëtarëve ndjehen  kryekëngëtar, mes palaçove ndjehen kryepalaço, mes shkrimtarëve ndjehen  si të ishin nobelistë të letërsisë… dhe mes budallenjve duan të jenë  kryebudalla. 

 Jo vetëm te ne, por në shume vende të botës, është  dëshmuar se e pësojnë popujt që fatin e vet e lënë në duart e njerëzve  jomirënjohës dhe të parealizuar në profesionet e tyre, sepse te tillët  janë të frustruar, ata urrejnë dhe shkatërrojnë çdo individ te  suksesshëm, ata i asgjësojnë dhe i urrejnë miqtë e vet, të cilëve dikur  ua kanë lëpirë këmbët.  

Dhe jo njëherë ka ndodhur qe edhe njerëz  të mençur e të aftë, qëllimisht të zgjedhin e mbështesin të paaftin,  vetëm pse kanë menduar se ashtu do e shmangin përçarjen brenda vetvetes  dhe se të gjithë së bashku do e kontrollojnë të ‘retarduarin’. Pra jo  rrallëherë ka ndodhur që të mençurit të hipin në kalin e lavdisë  avdallin, duke u sjellë ndaj tij si ndaj kalorësit pa këmbë, i cili  gjithmonë do ketë nevojën e tyre dhe që nuk do mund të kalërojë pa e  mbajtur dhe pa ia drejtuar kalin ata që e kanë zgjedhur.

Shikuar nga ky këndvështrim, autori i këtij teksti ndjehet i përbuzur  kur e sheh se bashkëkombësit e tij në Maqedoni janë në duart e një  kryenjoranti politik, kryetarit të BDI-së i cili atyre ua shanë   ‘shtatëqind nënat’, duke mos i lënë anash as baballarët e tyre të  ndjerë. Dhe ky tekstshkrues ndjehet mirë që nuk i besoi kundërshtarët e  Piktorit që e tepronin e thoshin se ai është rast për në psikiatri, por  ndjehet i gabuar pse nuk i përfilli ata kur i thoshin se gjatë këtyre dy  dekadave sa është në pushtet, ai u vëllazërua me oligarkët dhe  kriminelët, se është jomirënjohës dhe i dështuar në profesionin e tij,  se ka ambicie që të jetë edhe 'kryeprostituta' e shtëpisë publike, e për  çka ndjen nevojë t’u kërkojë ndjesë pse u thoshte se e kanë gabim.

Në ndërkohë, dua t’i kërkojë ndjesë publike edhe Piktorit të  ‘Rilindjes’, sepse arsyeja pse me vogëlsinë time e përkrahja të vij në  krye të shtetit, ishte ‘qëllimkeqe’. Në të vërtet, duke e konsideruar  atë si kalorës 'pa këmbë’ (lexo: të paaftë politikisht t’i imponohet  partisë që përfaqësonte), besoja se me të vendi do kishte një  kryeministër që fatin e vet politik nuk do e barazonte me atë të  shtetit, një kryeministër të cilin do e kontrollonte partia e  parlamenti, e jo ai partinë e kuvendin, e që më në fund Shqipëria të  nisej rrugës që të kishte institucione e parti që do ‘prodhonin’  drejtues, e jo drejtues që do ishin pronarë të institucioneve shtetërore  dhe të partive.  

Por sidoqoftë, rasti i Piktorit na  rikujton se të zgjedhurit nuk e tregojnë vetëm fytyrën e vet, por edhe  atë të përkrahësve të tij. Andaj pse Piktori e ndjenë shtetin si tendë  cirku ku ai e zbavit vetveten, e neve si publikë të mahnitur nga  akrobacionet e tij, nuk është fajtorë vetëm ai, por të gjithë që e  përkrahin.  

Pastaj ‘cirku’ politikë që ka pllakosur Shqipëri  tregon atë që dihet: diktatorët dhe regjimet autokrate nuk i rrëzojnë  kundërshtarët e tyre politik, por ‘trimat’ e guximshëm brenda ‘oborrit  mbretëror’. Andaj, Piktori mbeti mbi kalë jo pse opozita është e dobët,  por pse ‘ujqit’ e vjetër të PS përfunduan si heronj mbi gomarë. Pra  Piktori e mori në duar tërë PS-në pse drejtuesit e saj nisi t’i mbulojë  llumi i mendësisë 'Rilindëse', mendësi që mbështetet mbi parimin se nuk  është me rëndësi fati i Shqipërisë, por grazhdi i pushtetit nga ushqehemi dhe majmemi. 

EMISIONET