Pacientët që i drejtohen urgjencës së Durrësit shpesh herë duhet ta marrin ndihmën e parë në korridore. Një vëzhgim i kameras së Ora News evidentoi fluksin e lartë me të cilën urgjenca po përballet këto fillim viti, ndërsa mjekët theksojnë nevojën e shtimit të ambienteve për të menaxhuar flukse të tilla që shkojnë në qindra persona në ditë.

Ky pacient po e merr ndihmën e parë në korridoret e Urgjencës së Durrësit. Kjo pamje e fiksuar nga kamera e Ora News në qytetin bregdetar tregon më së miri gjendjen e urgjencës pranë spitalit rajonal që nuk është në gjendje të përballojë fluksin e pacientëve në këtë fillim viti.

Shefi i Urgjencës, Ashim Zogu, thotë se situata është pasojë e mungesës së shtretërve dhe ambienteve të pamjaftueshme.

Zogu: Aktualisht kemi 18 shtretër që ofrojmë ndihmë mjekësore në shërbimin e urgjencës së Durrësit, por nevoja është për dyfishin dhe trefishin.

150 deri në 300 persona është numri i pacientëvë që paraqiten çdo ditë pranë kësaj urgjencë për të marrë ndihmën e parë mjekësore, për shqetësime të ndryshme. 

Zogu: Aktualisht nuk kemi epidemi por vetëm viroza stine.

Paciente dhe familjare qe i shoqerojne dynden ne radhe, ndersa stafi mjekësor po punon me orare te zgjatura.

Zogu: Problemi është këtu që duke u marrë me një pacient i cili nuk është shumë serioz, nuk ka shumë probleme, nuk ka rrezik për jetën, të cilin mund ta vizitojë mjeku i lagjes, detyrohet stafi të angazhohet me të dhe këtë kohë natyrisht do t'ia marrë të sëmurit që është më rëndë.

Ndërsa thekson nevojën për zgjerimin e ambienteve, shefi i urgjencës Durrës apelon qytetarët që për raste të lehta tu drejtohen poliklinikave të lagjes për të shmangur kështu situata kaotike që mund të shmangen.

/Ora News.tv/