Tirana ka festuar ndërrimin e viteve, ku qielli kryeqytetas u ndriçua nga fishekzjarrët sapo akrepat në mesnatë, shënuan 12:00. Me dhjetëra të rinj dhe të reja dolën në shesh, ashtu si çdo vit për t'i uruar mirëseardhjen vitit 2013-të. Nga mot Gëzuar, është ky urimi tradicional për qytetarët shqiptarë në këtë ndërrim të mot-moteve, i cili duket se ka zotëruar buzëqeshjet, përshëndetjet dhe dollitë e ngritura për shëndetin e miqve, të të dashurve dhe familjarëve për të gjithë shqiptarët në natën e trokitjes së Vitit të Ri 2013. Urimet dhe atmosfera festive, e cila përkoi dhe me jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, janë përcjellë dhe nga pjesa më e madhe e televizioneve kombëtare dhe private shqiptare, duke bashkuar në një të vetme dëshirën e të gjithëve jo vetëm për një vit më të mbarë e më të gëzuar por edhe për një vit të paqtë për të gjithë shqiptarët. E ndërsa sheshet "Skënderbej" dhe ai i "Nënë Tereza", janë tejmbushur për ti lënë lamtumirën 2012 dhe për të mirëpritur me shumë dashuri dhe shpresë 2013, të shumtë kanë qenë dhe qytetarët të cilët kanë preferuar ta kalojnë këtë festë në shtëpitë e tyre, duke e pritur që akrepat e orës të shkojnë në 12 (00:00), por prej vitesh tashmë janë shtuar edhe njerëzit të cilët preferojnë që këtë festë ta kalojnë në lokale e restorante të Tiranës. Ndërsa të rinjtë edhe pse darkën e Vitit të Ri e kalojnë në shtëpi, preferojnë që orët e para të vitit që vjen ti kalojnë në pube. Atmosfera në shesh në ndryshim nga vitet e tjera ka qenë e zhurmshme, dhe e zjarrtë. Festimet kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, ishin angazhuar një numër i madh forcash rendi, të cilat mundësuan mbarëvajtjen e festimeve në kryeqytet. Stafi i Ora News iu bashkohet urimeve për këtë fillim viti, duke ju uruar mbarësi, shëndet, më shumë punë , paqe e lumturi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në Shqipëri, trevat shqiptare dhe diasporë.

/Ora News.tv/