A do të ndërpritet kampionati? Duka: Nesër vendimi

A do të ndërpritet kampionati? Duka: Nesër vendimi

Bojkoti nga Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptarë ka gjetur të papërgatitura shumë skuadra, drejtues dhe trajner, që ishin bërë gati që të ishin në fushën e lojës këtë fundjavë për tu ndeshur me rivalët respektiv. Shumë prej tyre nuk e dinë ende se kur do të rinis gara, e cila kishte mbërritur në një moment kulminant. Po si e komentojnë këtë bojkot disa nga personalitetet e futbollit dhe jo vetëm.

Olsi Rama: "Mendoj se është një proces i cili do të kalojë së shpejti, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke vijuar garën në lojën më të bukur, futbollin. Gjithmonë jemi të përgatitur për çdo lloj situate. Do ta kthejmë çdo aspekt të saj në një aspekt pozitiv për klubin tonë."

Skënder Gega: "Klubet janë pajtuar me këtë vendim. Besoj dhe shpresoj që t'i bëj mirë. Ditët kalojnë shumë shpejt. Ne jemi stërvitur për shumë arsyeje. Edhe na ka shërbyer, pasi ka pasur ndoshta edhe probleme, megjithatë duhet ta fillojmë garën bashkë dhe gjërat të mos përsëriten. Duhet të jemi më optimist për të ardhmen. Unë jam për një shtet të fortë. Edhe Federata brenda shtetit besoj se do të gjej një bashkëpunim dhe secili të marrë përgjegjësinë e vet. Por edhe ne si pjesë e futbollit të jemi shembull dhe duhet të japim edhe mesazhet e "Fair Play" sepse sporti duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë. "

Bamir Topi: "Futbolli mos mendoni se është vrarë në 24 orët e fundit. Futbolli ka vite që vritet çdo ditë. Shqipëria nuk e ka luksin që të trajtohet me stjuardë sikurse janë vendet e tjera. Janë vite drite larg."

Armand Duka: Kemi lajmëruar se është një mbledhje ku do marrin pjesë ministra, kryeministra, klubet shqiptare dhe do të diskutojmë për problematikën që kemi dhe çfarë mund të bëjmë për ndryshimet ligjore për të mirën e sportit, futbollit në rastin tonë.

Nëse nuk rikthehet policia e shtetit? Do ta diskutojmë nesër në takim. Nuk mund ta di ende.

Gjithsesi, takimi i nesërm në orën 11:00 në Tiranë midis kryeministrit Edi Rama dhe disa përfaqësues të kabinetit qeveritar së bashku me presidentin e FSHF-së, Armand Duka dhe presidentëve të disa klubeve shqiptare me siguri do të prodhojë të rejat për lëvizjen e topit, i cili po qëndron prej një jave statik në mesin e fushës.

EMISIONET