Në Spitalin Universitar të Traumës janë kryer për herë të parë intervente të mbyllura të artikulacioneve. Për probleme të tilla si dëmtime të meniskut, pacientët i duhej ti drejtoheshin spitaleve private. Kirurgjisë së mbyllur në artikulacione i janë nënshtruar 3 pacientë dhe janë në pritje 200 të tjerë.

Tre pacientët e parë i janë nënshtruar një interventi të mbyllur në artikulacione në Spitalin Universitar të Traumës.

Diagnostikimi dhe ndërhyja bëhet jo më me kirurgji të hapur dhe koha e rikuperimit të pacientëve është e shpejtë.

Drejtori i këtij spitali, Arben Zenelaj, tha se pacientët kishin muaj në pritje, pasi ndërhyje të tilla realizoheshin vetëm në spitalet private.

Arben Zenelaj: Aktualisht ne kemi vënë në punë pajisjen për ndërhyrjet në artikualacione që quhet artroskop, është një pajisje që kryen ndërhyrje miniinvazive për probleme që lidhen me traumën  e artikulacioneve apo dhe për probleme kronike degjenarative që mund të kenë të sëmurët. Janë hapat e parë, pra ndërhyrjet e para që po realizohen.

Janë rreth 200 pacientë që kanë dëmtime të meniskut dhe kanë nevojë për ndërhyrje të tillë.

Arben Zenelaj: Besoj se duhet ti kalojnë mbi 200 në vit nga të dhënat që kemi nga mjekët. Prerje shumë më të vogla nëpërmjet sondave dhe monitorëve që janë të instaluara për aparatin.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë sistemuar edhe ambiente pritëse të pacientëve dhe familjarëve.

Arben Zenelaj: Nëqoftëse pacienti futet në urgjencën tonë aty merret në dorëzim totalisht nga ekipi mjekësor ndërkohë që recepsioni që është pranë është i rezervuar për familjarët e tyre dhe në çdo moment u jepet informacioni i nevojshëm për ta.

Vetëm në vitin e lënë pas në këtë spital janë pritur 49.000 pacientë në urgjencë, ku numrin më të lartë e zënë traumat nga aksidentet rrugore.

/Ora News.tv/