Autori rrëfen shpërthimin në banesën e Gazmir Dacit: Mori 5 mijë euro, hesht për porositësit

Tri ditë pas shpërthimit të eksplozivit në banesën e familjes së të dënuarit për vrasje Gazmir Daci në Bathore, policia deklaron arrestimin e personit të dyshuar si autor të ngjarjes.

I dyshuari është Vilson Brahaj, 23 vjeç, nga Kukësi, i dënuar më parë për vjedhje të një dyqani celularësh në Tiranë në vitin 2014. 

Brahaj i cili u identifikua nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi, është arrestuar gjatë orëve të natës (29- 30 korrik) për ngjarjen e ndodhur më 27 korrik në rrugën "Martin Camaj" në Bathore ku është vendosur lëndë eksplozive në banesën në pronësi të Xhelal Dacit. 

Ky i fundit është babai i Gazmir Dacit i cili ndodhet në burg duke vuajtur dënimin me 35 vjet heqje lirie për vrasjen e Valmir Kolaverit.  

5 mije euro

Kjo ngjarje është pista kryesore e hetimit në lidhje me vendosjen e tritolit ndonëse i arrestuari Vilson Brahaj ende nuk ka dhënë emrat e porositësve të krimit, edhe pse ka pranuar se është paguar me shumën prej 5 mijë eurosh për të realizuar vendosjen e tritolit.

Për këtë arësye, edhe aksioni për kapjen e autorit të shpërthimit ka marrë emrin e koduar "Pagesa". 

"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën "Martin Camaj" Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje: Vilson Brahaj , 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë. Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D."


Deshmia

I riu ka thënë në polici se e njeh babain e të dënuarit pasi banon në të njëjtën zonë, por ka thënë se nuk ka asnjë mosmarrëveshje apo konflikt me të. 23-vjeçari Brahaj ka pohuar se eksplozivin e ka blerë në Krujë dhe e ka montuar për ta vendosur në banesën e Xhelal Dacit me porosi të disa personave të cilët pretendon se nuk i njeh.  

Pas arrestimit, autori i dyshuar i ngjarjes ka treguar edhe vendin ku i ka hedhur në lumë tek "Ura e Tapizës" rrobat e përdorura gjatë vendosjes së lëndës plasëse.  Ai ka treguar për hetuesit edhe bodrumin pranë Urës së Tapizës ku e kishte fshehur automjetin e përdorur në ngjarje. 

Policia tha se ndaj 23-vjeçarit  është ngritur akuza për "Shkatërrimi i pronës me eksploziv", parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Banesa e dëmtuar nga shpërthimi i përket familjes së Gazmir Dacit i cili në nëntor 2015 vrau Valmir Kolaverin dhe plagosi rëndë vëllain e tij Roland Kolaveri i cili mbeti i paralizuar nga kjo ngjarje. Në shenjë hakmarrje, në 31 korrik 2016 ndaj Gazmir Dacit u qëllua me snajper nga jashtë burgut ku ai mbahej në Vaqarr ku u plagos aksidentalisht një shtetas nga Kosova. Pas atentatit në burg ndaj të dënuarit për vrasje, policia arrestoi shtetasit Ergys Kolaveri 25 vjeç dhe kushëriri i tij, Enea Ceka 24 vjeç.    



EMISIONET