Naureda Llagami zgjidhet kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Naureda Llagami është zgjedhur kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucion që do të bëjë emërimet në drejtësi.

Ajo fitoi me 10 vota ndaj Fatmira Lulit dhe Alban Toros.

Ndërsa nënkryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor u zgjodh Maksim Qoku me 7 vota.

Dy gjyqtarët e KLGJ ishin Dritan Hallunaj dhe Brunilda Kadi nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.

Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ishin Ilir Toska nga Gjykata e Apelit dhe Marcela Shehu, gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit.

Gjithashtu, pjesë e KLGJ-së, ishin edhe gjyqtarët Medi Bici dhe Brikena Ukperaj, të cilët u emëruan automatikisht më 12 dhjetor për shkak të mungesës së konkurrentëve.  Bici vjen nga Gjykata e Lartë, ndërsa Ukperaj nga Gjykata e Apelit.

Llagami theksoi se rikthimi i besimit të publikut tek gjyqësori, është një nga objektivat dhe detyrat primare të Këshillit

 Më tej, Kryetarja e KLGJ-së u shpreh se: “Me besimin tuaj, unë sot u zgjodha kryetare e këtij këshilli, por ajo që më gëzon mbi të gjitha nuk është kjo, por  konsensusi dhe besimi që ne treguam karshi njëri tjetrit, elementë këto për të cilët unë do të kujdesem që të na shoqërojnë gjatë gjithë veprimtarisë sonë në këtë këshill.Nga sot, ne nisim së bashku një rrugë me shumë përgjegjësi drejt konsolidimit të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar, eficent, transparent, të përgjegjshëm dhe larg ndikimeve të çdo lloji.Ndihem e nderuar që do të punoj me një skuadër profesionistësh, me integritet dhe ekspertizë dinamike, dhe besoj fort se këto cilësi janë premisa thelbësore për të realizuar pritshmëritë që publiku ka ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe veçanërisht, sa i takon rikthimit të besimit të publikut tek gjyqësori, që ndërsa është një nga objektivat dhe detyrat primare të këtij Këshilli, është njëkohësisht dhe sfida jonë e përbashkët”.

Në mbledhjen e parë të KLGJ që u zhvillua paraditen e së enjtes (20 dhjetor) ishin të pranishëm kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe avokatja e popullit, Erinda Ballanca.

Gjithashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga OSBE dhe Ambasada Amerikane.


EMISIONET