NATO-ja dhe Rusia mund të jenë në prag të një gare armatimesh. Raporti i sapo publikuar i shpenzimeve i Aleancës, tregon se aleatët europianë i kanë shtuar shpenzimet për mbrojtjen dhe janë në prag të objektivit prej 2 për qind. Në anën tjetër, Rusia planifikon që ta përforcojë sivjet flotën e saj me dy nëndetëse bërthamore.

Presioni i Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht ai i presidentit Donald Trump dha efekt për rritjen e shpenzimeve ushtarake të aleatëve europianë të NATO-s.

Raporti i vitit 2018 i publikuar të enjten tregon se vendet po shkojnë afër kufirit të përcaktuar prej dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave, aleatët europianë kanë arritur një mesatare prej 1.51 për qind, më e larta në pesë vitet e fundit.

Më shumë vende i rritën shpenzimet ushtarake në 2018-s, sidomos nga vendet në rajonet e Baltikut, Polonia dhe Holanda.

Deri tani vetëm gjashtë qeveri arritën objektin e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa në fund të listës mbeten Gjermania dhe Kanadaja.

"Ne ndeshemi me një paradoks. Në një kohë që disa kanë ngritur dyshime ndaj mbi forcën e lidhjeve ndëratlantike, ne në fakt jemi duke bashkëpunuar më shumë, si asnjëherë më parë," tha sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për shtyp.

Aleatët europianë janë përpjekur t’i shmangin kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili vitin e kaluar u kërkoi që të dyfishojnë shpenzimet për mbrojtjen për t’i bërë ballë kërcënimit rus.

E ndërsa aleatët europianë të NATO-s po shtojnë shpenzimet ushtarake, në anën tjetër Rusia, që së bashku me ShBA-në po shpërbëjnë Traktatin e Forcave të Mesme Bërthamore, njoftoi se planifikon që ta përforcojë sivjet flotën e saj me dy nëndetëse bërthamore.

Sipas Ministrit rus të Mbrojtjes, Sergej Shojgu, nëndetëset “Kazan” dhe “Princi Vladimir” janë të pajisura me arsenal bërthamor dhe do të përfshihen në flotë para fundit të vitit 2019.

Analistët ushtarakë druajnë se rritja e shpenzimeve ushtarake në të dy anët e Atlantikut si dhe në Rusi mund të shkaktojnë një gara të re armatimesh, si ajo e Luftës së Ftohtë.

/Ora News.tv/