Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e sotme evropiane ishte rreth 51%, në 27 vende të BE, sipas vlerësimeve të Parlamentit Evropian.

Për krahasim me vitin 2014 ku pjesëmarrja ishte 42.61%.Në të 28 vendet, pjesëmarrja pritet të shkojë në mes 49-52%.

Grupet tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë në Parlamentin Evropian duket se janë goditur pas zgjedhjeve evropiane, sipas vlerësimeve të para të rrjetit televiziv shtetëror gjerman ARD dhe faqes së internetit të Parlamentit Evropian.

Partia Popullore Evropiane (PPE), më e madhja në Parlamentin Europian që po largohet, pritet të fitojë 173 nga 751 vende, 44 vende më pak, sipas të dhënave të ARD.

Socialistët Evropianë (PSE) duket se kanë 147 vende, 39 më pak.

Sipas këtyre shifrave, PPE dhe PSE, të cilat tradicionalisht formuan një koalicion të madh për të promovuar iniciativat e tyre në Parlamentin Europian, nuk do të kenë më shumicën.

Ndërkohë ka një rritje të grupeve të ekstremit të djathtë që pritet të kenë 23 vende më shumë.

Parashikimet vënë Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE) në vendin e tretë me 102 vende.

Vendi i katërt është për  të Gjelbërit me 71 vende.

E djathta e Bashkuar duket se ka 42 vende dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë 58 vende.

Rezultatet përfundimtare nga 28 vendet anëtare të BE priten të dalin pas mesnate.


/Ora News.tv/