"Na mashtruan për rrugën", banorët e Lubonjës bllokojnë punimet e TAP
Banorët e Lubonjës në Korçë janë rebeluar kundër Kompanisë TAP të cilën e akuzojnë për mosmbajtje të premtimeve për rehabilitimin e infrastrukturës në zonat ku kalon gazsjellësi. Ata thonë se mjetet e rënda të kompanisë u kanë shkatërruar rrugën 6 kilometra, por TAP prej dy vitesh i mashtron për ndërhyrjen e premtuar.
Banorët e Lubonjës në Korçë akuzojnë kompaninë TAP se i mashtroi duke u dëmtuar rrugën e fshatit me mjete të rënda të angazhuara për ndërtimin e gazjellësit dhe nuk po mban premtimin për ta rehabilituar.
Ndaj ata u bënë bashkë që në orët e para të mëngjesit duke ndaluar kalimin e mjeteve të kompanisë.
Janë vetëm 6 kilometra rrugë, por banorët thonë se janë 2 vjet vuajtje.
"Duhet të kishim dalë 2 vjet përpara që kur kaloi TAP mbi tokën tonë".
"Makina që ta marr unë për një të sëmurë do 30 mijë lekë që të vijë në fshat".
Mungesa e rrugës që i lidh me Korçën jo vetëm u ka vështirësuar jetën dhe shtuar kostot ekonomike, por po u lë dhe ata pak djem që kanë mbetur në fshat pa martuar.
"Na mbeten djemtë pa martuar, kemi 5 djem në fshat dhe nuk na vinë nuset në shtëpi se nuk ka rrugë".
Protesta e së mërkurës ishte paralajmëruese, thonë banorët e Lubonjës, teksa theksojnë se në vijim do të bllokojnë plotësisht lëvizjen e mjeteve të TAP nësë nuk mban premtim.
"Do përshkallëzohet derisa të zgjidhet".
"Kryesore është rruga sepse zhvillimi është rruga".
Më herët edhe banorët e Kapshticës në Korçë kanë akuzuar kompaninë TAP për mosmbajtje të premtimit për rehabilitimin e infrastrukturës në zonat ku ndërtohet gazsjellësi.
Reagon TAP
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) thotë se u informua për kërkesën e disa banorëve të fshatrave Lubonjë, Rehovë dhe Roshanj, Bashkia e Korçës, për rehabilitimin e rrugës që lidh këto fshatra me segmentin rrugor Korçë - Vithkuq.
Në deklaratën për mediat thuhet se TAP dhe kontraktori i tij i ka informuar këto komunitete se sapo të përfundojnë aktivitetet e ndërtimit të projektit në atë zonë kjo rrugë do të rehabilitohet në gjendjen e mëparshme.
"Ndërkohë ky segment rrugor po mirëmbahet nga kontraktori i TAP. Kjo është e njëjta përqasje që është ndjekur edhe në zona të tjera ku ka pasur punime për ndërtimin e gazsjellësit".