"Ministrja po tallet me të gjithë deputetët, nëse ju pranoni këtë tallje dhe këtë fyerje më vjen keq, ne nuk e pranojmë" deklaroi Albana Vokshi.

 Mungesa e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ishte thirrur për aktet nënligjore të ligjit të arsimit të lartë, është komentuar nga deputetët e opozitës si frikë, papërgjegjshmëri dhe shkelje e Kushtetutës. 

 Opozita e cilësoi të dështuar ligjin për arsimin e lartë, teksa tha se mungesa e akteve nënligjore i ka çuar Universitetet në kolaps.

 Albana Vokshi: Ligji në  asnjë germë nuk po implementohet, ka frikë të përballet me të gjitha çështjet që po i plasin asaj dhe Kryeministrit.

 Luçiano Boçi: Do ta rrëzojmë sepse ky ligj është ai ligj që ka tre vite që i ka shtrirë barkas Universitetet shqiptare.

Shezai Rrokaj: Ky është një kolaps total i Universitetit që nga studentët, pedagogët, kërkimi shkencor.

Ministria e Arsimit, u përfaqësua nga zv.ministri Ervin Demo, por deputetët e opozitës nuk pranuan të dëgjonin argumentet e tij. Maxhoranca e cilësoi mbledhjen e Komisionit shfaqje të shëmtuar për publikun.

 Milva Ekonomi: Unë besoj që prezenca e zëvendës/ministrit, ardhja e dokumentave tregojnë pikërisht këtë gjë që në Ministri është një seriozitet i lartë sa i takon kësaj çështje.

Besnik Bare: Nuk jemi të interesuar për sherret por që publiku të infomohet për problematikën e arsimit të lartë, lërini të thonë fjalën, ta dëgjojë publiku.

Mungesën në Komision, Ministrja e justifikoi me takimin që zhvilloi me Ministrat kosovarë të Arsimit dhe Diasporës ku u vendos krijimi i një qendre të përbashkët për diasporën me bazë në Prishtinë, që do të ketë një funksion kordinues për botimin apo shpërndarjen e librave mësimorë shqip.

Lindita Nikolla: Nuk do të ketë më punë të ndara për të mundësuar arsimimin e fëmijëve në diasporë veç Shqipëria dhe veç Kosova, por një punë e mirëorganizuar nga ekipet tona.

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, e cilësoi takimin tepër produktiv ku u morën vendime të rëndësishme.

 

/Ora News.tv/