Mungesa e Danilos dhe problemet me financat, Idrizi: I zhvillojnë përgatitjet në Kurvelesh

Mungesa e Danilos dhe problemet me financat, Idrizi: I zhvillojnë

Sikurse rivalët, edhe skuadra e Flamurtarit ka nisur seancat stërvitore pas pushimeve të dimrit.

Ndryshe nga herët e tjera, klubi kuqezi ka zgjedhur që këtë vit ta zhvillojë fazën përgatitore në Shqipëri dhe këtë e bëri me dije presidenti i klubit, Sinan Idrizi.

"Nuk keni respekt për një klub që bën 3 faza përgatitore jashtë. Një fazë përgatitore kushton 50 mijë euro. Pra nuk respektoni klubin ku do të shkoj ekipi. Jo mo të rri këtu si gjithë të tjerët. Këtë vit Flamurtari, për hajmali, meqë e kanë merak këto miqtë e tjerë, po themi Kurvelesh ose Ersekë." -zbulon Idrizi.

Në seancën stërvitore është vënë re mungesa e sulmuesit Danilo Alves, për të cilin kreu i Flamurtarit ka paralajmëruar se do të merren masa ndëshkuese.

"Përsa i përket zotit Alves, e kemi njoftuar dje me email atë dhe FIFA-n për vonesën e tij dhe për çdo ditë vonesë do të ketë dhe ndëshkimin e tij, në bazë të institucionit të klubit."
-shtoi numri 1 i klubit kuqezi.

I pyetur për vonesat e pagave të lojtarëve, Idrizi sqaroi:

"Nëse klubi do të ishte privat, nëse do të kishim një ekonomi sporti, të jesh i sigurt që këto lloj vonesash nuk do të ekzistonin, sepse ne jemi një kompani që financohemi nga jashtë. Pra nuk kemi aktivitet ekonomik në Shqipëri. Së shpejti fillojmë një aktivitet ekonomik në Shqipëri, por në rastin konkret nuk kemi. Dhe të gjitha financimet vijnë nga jashtë, nga Turqia me sistem bankar. Po e përsëris. Ne i qëndrojmë detyrimit tonë. "-përfundon kreu i klubit vlonjat.

Bregdetarët e mbyllën fazën e dytë të kampionatit në vendin e gjashtë, një pozicion ky i pakënaqshëm për kuqezinjtë, të cilët vazhdojnë të synojnë zonën Evropiane dhe shpresojnë se do të bëjnë më mirë në dy fazat e ardhshme.

EMISIONET