Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të mos miratuar mandatin e kryebashkiakëve socialist, për ish kreun e KQZ, Kristaq Kume është rrëzimi i shtetit të së drejtës.

Sipas Kumes, mazhorancës po i kthehet mbrapsht loja e 30 qershorit, për shkak të regjistrimit të Bindjes Demokratike jashtë afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor. 

Kristaq Kume: "Duke mos respektuar pikërisht këto parime bazë, mbi të cilën ndërtohet gjithë shteti dhe shoqëria jonë, po përplasen me kriza të tilla, që janë me ngasje politike si rezultat i sjelljes së partive politike që janë subjekt të cilat kërkojnë të marrin pushtetin dhe në përpjekjet e tyre për të marrë pushtetit shpeshherë nuk shmangen as nga shkelja e ligji apo shpërdorimi i ligjit, pasojë e faktit se ne nuk kemi ditur dhe akoma nuk po dimë që të ndërtojmë atë që quhet shteti i së drejtës."

Ndërsa për mandatin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, Kume thotë se Gjykata Administrative nuk mund të vendosë për çështje të tilla, ndaj dhe një herë mosfunksionaliteti i Gjykatës së Lartë do të sjellë ngërç.

Kristaq Kume: "Në qoftë se Gjykata Administrative do kërkojë që të legjitimohet në trajtimin e kësaj çështje, legjitimimi bëhet nga Gjykata e Lartë. Gjykatë të Lartë efektive ne nuk kemi. Problemi vërtet mund të hyjë në hulli që zor se mund të parashikohet se cila do të jetë zgjidhja që do të marri."

Në përgjigje të socialistëve, Kume u shpreh se shpërndarja e mandateve nga Gjykata nuk është akt ceremonial, por ligj, dhe si i tillë duhet të respektohet.

Ish kreu i KQZ tha se tanimë kriza mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjeve në Kushtetutë dhe reformave të thella ligjore.

/Ora News.tv/