"Diktator!" Studentëve u bashkohen edhe protestuesit e çmimit të naftës e banorët e Astirit

Në ditën e 12 të protestës, studentëve iu bashkuan para Kryeministrisë edhe banorët e Unazës dhe qytetarët që kërkojnë uljen e çmimit të karburanteve. Pronarët e shtëpive në zonën e Astirit thanë se qëndrojnë me studentët si prindër. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ironizoi studentët me një foto nga lart të protestës, duke thënë se një grusht njerëzish po mbajnë peng dialogun.

Rrugën për të protestuar bashkë me studentët para Kryeministrisë nuk e ndoqën vetëm të rinjtë por edhe banorët e Astirit.

Ata thanë se protestës i bashkohen si prindër jo për shembjen e shtëpitë të tyre që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

"Nuk jam si banore e Astirit, por jam me kauzën e studentëve, me kauzën e fëmijëve të mi. Kauza e tyre është dhe kauza jonë, kemi një kauzë të përgjithshme."

Të shtunën protestë u zhvillua edhe për çmimin e karburantit.

" Ulja e çmimit të naftës dhe përmirësimi i cilësisë së naftës".

" Të përgjysmohen taksat në karburant, janë të tepruara".

"Çmimi i naftës në Shqipëri është skandal"

Edhe këta qytetarë u pritën nga studentët të cilët thanë se ditën e hënë do të organizojnë një protestë masive, duke berë apel për mbështetje dhe mosbindje civile.

"Fakti që ata nuk përdorin kauzën tonë për qëllimet e tyre individuale nuk ka asgjë të keqe. Ne jemi shumë të hapur dhe shumë të lumtur që qytetarët dita ditës po na japin të drejtë ne".

" Rrugët e Tiranës të hënën do të bllokohen të gjitha, jo vetëm për një orë, por gjithë ditën".

"Do vendosim se cila do të jetë mosbindja civile ditën e hënë".

Për protestën e së shtunës reagoi edhe kryeministri Rama, duke u shprehur se dialogu po mbahet peng nga një grusht njerëzish.

Postimi i Ramës në Instagram: Historia tregon për shumë raste kur Dialogut i janë trembur qeveritë, po s'ka bërë vaki kurrë që t'i tremben studentët dhe studentët sot në fakt, nuk i tremben Dialogut, po presioneve kundër Dialogut, sharjeve e fyerjeve ndaj kujtdo që kërkon Dialog, të cilat porositen nga partitë përmes studentësh që i'a kanë shitur shpirtin politikës më të mbrapshtë. 

Sidoqoftë farsa e kësaj barrikade absurde kundër Dialogut, s'ka për të zgjatur sa ka zgjatur. Dialogu do zhbllokohet, Arsyeja do fitojë dhe së bashku ne do të hapim një kapitull të ri për Universitetin

"Kjo farsë e orkestruar për të marrë peng protestën, me shpresën e devijimit të saj në revoltë politike, s'mund ta mbajë edhe për shumë gjatë në këmbë barrikadën absurde "

Por studentët shprehen të vendosur për të mos dialoguar për kërkesat e tyre.

"Ne do të vazhdojmë protestën deri kur të gjitha kërkesat tona të plotësohen, nuk ka asnjë mëdyshje".

"Jemi shumë të vendosur, nuk bëhet fjalë fare për dialog".

Në ditën e 12 protestës iu larguan studentët e fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës, të cilët kanë vendosur të negociojnë me drejtuesit e Fakulteteve për problematikat e tyre.

Ora 12:50 Studenteve u bashkohen dhe protestuesit për uljen e çmimit të naftës.


(Ne foto: Momenti kur i bashkohen studenteve dhe protestuesit e çmimit të naftës)




(Foto: LSA) 

11:05  Vijon protesta, i bashkohen dhe banorë të Astirit   

Numri i studentëve që po protestojnë para kryeministrisë janë shtuar ndërkohë që atyre i janë bashkuar dhe banorë të Astirit

"Ne na bashkon padrejtësia e madhe. Sepse ata janë qytetarë dhe të gjithë janë të ftuar të protestojnë para kryeminsitrisë" tha një student për mikrofonin e Ora News. 

Banorët bëjnë thirrje me megafon: Jemi me studentët! 

"Kemi një kauzë të përbashkët. Drejtësia! Na janë shkelur të drejtat! Këtu jam si prind për të mbështetur të drejtat e fëmijëve të mi, studentë!  tha një banore për mikrofonin e Ora News.







Ora 10:50 Studentët i bënë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës:Ejani këtu kundër meduzës

Para kryeministrisë është një numër i vogël studentësh ndryshe nga ditët e tjera, e megjithatë është parë që nga momenti në moment grupi është shtuar.

Klajdi tha për Ora News: "Po shtohen nga momenti në moment studentët. Nuk do të ndalemi do të vazhdojmë përpara. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve merrni një çadër dhe ejani ti japim shpresë Shqipërisë. Ejani ti tregojmë kryeministrit arrogant se ne nuk ndalemi dhe sovrani nuk përkulet para arrogantit  por ai duhet të përkulet para sovranit. Hajde të bashkohemi kundër së keqes, kundër meduzës."


"Mos u dorëzo sot, se do pendohesh nesër", protesta e studentëve nuk ndalet


EMISIONET