Në mbledhjen e grupit parlamentar lidhur me çështjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit është dënuar për trafik droge në Itali, Rama i ktheu një përgjigje dhe socialistëve jo vetëm të thjeshtë por dhe të atyre brenda radhëve të PS-së të cilët i kanë përcjellë mesazhin:  "Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin. Saliu nuk ka lëshuar vrasës e kriminelë me damkë, ti je gati të lëshosh këtë të dojë Saliu"

Edi Rama: Kam ndjekur me vëmendje reagimet e njerëzve. Më ka bërë përshtypje një reagim i shprehur në mënyra të ndryshme në drejtimin tim që në thelb përmblidhet me fjalitë "Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin. Saliu nuk ka lëshuar vrasës e kriminelë me damkë, ti je gati të lëshosh këtë të dojë Saliu. Lëshove Saimirin një ministër të brendshëm me incizime, mos lësho dhe këtë tjetrin për të mbajtur karrigen tënde, etj me radhë që sot meritojnë prej meje një përgjigje. Unë them të gjithë atyre se unë mendoj ndryshe nga ata, edhe pse respektoj plotësisht shqetësimin e tyre i cili lidhet me bindjen legjitime tek shumë qytetarë të këtij vendi se drejtësia nuk mund të bëhet duke shkuar pas gjurmëve të njerëzve tanë, ndërkohë që ujqërve të padrejtësive monumentale në këtë vend jo vetëm nuk u ka hyrë gjë në këmbë por duhet tu dëgjojmë përditë ulërimën duke kërkuar koka ndër ne. 

Por ja si e mendoj unë

Së pari ne nuk jemi ata. As nuk jemi si ata dhe as nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bëhemi si ata.  Nuk jemi të rënë nga qielli. Ëngjëj jo e jo. Nuk jemi as të pagabueshëm dhe as të pakritikueshëm, - nuk bëhet fjalë-  dhe as të paprekshëm asesi, nga të këqijat që prekin njerëzit kur ulen në një karrige, që nga karrigia e një drejtuesi të vogël në një zyrë në provincë, deri tek ajo në një zyrë ministrie. Ne kemi një dallim themelor me ta, ne socialistët e mandatuar nga populli, historikisht, dhe jo vetëm sot marrim përgjegjësi për vendin dhe mbajmë përgjegjësi për veten.

 Ndërsa ata janë të papërgjegjshëm për vendin dhe sa për veten e tyre e kanë lënë veten peng qysh prej vitit 1991 tek po një njeri. Parimi i atij pengmarrësi të partisë së tij, në krye të atyre pra, për thuajse 30 vjet me radhë është Unë të ngre dhe unë të mbaj. Mjafton të bësh atë që them unë dhe ti mund të vrasësh, djegësh e godasësh dhe unë stë lëshoj gjallë. Kjo kulturë prej bajraku stalinist është kultivuar si një mortje jo vetëm  në oborrin e PD-së por në një pjesë të shoqërisë tonë të përcarë prej atij pengmarrësi me zjarrin e urrejtjes prej stalinisti dhe me hekurin e babëzisë për pushtet e lavdi prej bajraktari. 

Ndërsa tek ne s'ka qenë kurrë kështu dhe nuk ka për të qenë kurrë kështu. Sepse ne nuk jemi si ata jemi shumë ndryshe.

Ata kanë shkatërruar e prishur më shumë se kanë ndërtuar, ndërsa ne të tërë historinë tonë qysh prej lindjes së PS-së mirë apo keq, kemi ndërtuar se kemi shkatërruar.

Për tu kthyer tek unë, ju që jeni këtu dhe kush ka punaur dhe punon me mua e di fare mirë që në këtë familje politike gjithsecilit i është dhënë një mundësi për të  bërë një punë, por vendin e punës secili do e mbajë vetë me dinjitet dhe me rezultate.

Jam i gatshëm të bëhem copë dhe e kam bërë për të mbrojtur punën e një ministri, kryetari bashkie, deputeti kujtdo bashkëpunëtori që ia di dhe ia vlerësoj punën që bën edhe kur të gjithë mund ta kenë rrethuar me kundërshtitë e tyre, por kurrë nuk kam qenë dhe mos e prisni të jem i gatshëm të mbroj askënd dhe as të angazhoj PS për të bërë avokatin e kujtoqoftë kur është fjala për tu përballur me akuzat e organit të drejtësisë, cilado qoftë drejtësia.

Kur Saimir Tahiri u dënua me arrest shtëpia sipas atyre që shkojnë pas beri, beri hait unë kisha faj se e mbrojtja nga arresti me burg. Nga ana tjetër po unë kisha faj, sipas shumë kush nga tanët, pse e lëshova dhe nuk e mbrotja nga arresti i shtëpisë. 

Më falni, dhe këtë e kam jo për ju por dhe për të gjitha ata që na ndjekin, Natyrisht  e kam me këta të dytët, këta tanët, ose me qytetarët e zakonshëm dhe të paverbuar të këtij vendi: Ku hyj unë në këtë mes?! Pse duhet të hyj unë në këtë mes?! Unë nuk di të tallem me nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë ata që më kanë zgjedhur. Duke më dhënë pasurinë më të madhe që mund ti jepet cdo njeriu. Mundësinë e radhë fare, për një individ që të udhëheqë vendin e tij për një periudhë kohe."

Po të mos besoja në ato që them nuk do të gjeja dot fuqi të zgjohesha në mëngjes e të bëja gjithçka mundem çdo ditë në mes të zjarrit e baltës. Po të mos e shikoja sa hap sytë njësoj si dritën e diellit se çfarë akoma mund të jap për këtë vend e njerëzit e këtij vendi nuk do të rrija duke parë si hanë baltë njerëzit e familjes time por do shkoja tu falja kohë dhe vëmendjen e munguar prej vitesh në vend të baltës që ua çoj unë në shtëpi prditë përmes gojëve të shqyera të politikës së fekaleve, dhe të fekaleve të kaneleve mediatike. Natyrisht që në këtë gërdi llafesh,  kazan më kazan e kafene e kafene është e kotë të humbësh kohë për të thënë e rithënë se politika nuk është një ushtri maskarallëku kolektiv, në politikë nuk janë të gjithë derra të kënaqur migjenian, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Politika nuk përbën një biznes të paligjshëm fitimprurës për të gjithë ne që merremi me të. Siç as nnjë pemë asnjë kafshë nuk janë njësoj dhe vetë politikanët nuk janë njësoj.

/Ora News.tv/