Tensionet tregtare ndërmjet dy fuqive më të mëdha, SHBA-së dhe Kinës, dhe një sërë faktorësh të tjerë po kërcënojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë globale. Shefja e FMN-së shprehet optimiste se me zgjidhjen e problematikave politike, bota mund të shohë ditë më të mira pas gjysmës së dytë të këtij viti. Ndërsa Organizata Botërore e Tregtisë ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike për vitin 2019.

Ekonomia globale gjendet në një moment delikat për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe pasigurive që burojnë nga "Brexit" apo tensionet midis SHBA-së dhe Kinës.

Shefja e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard, deklaroi të martën se situata në 189 vendet anëtare mbetet e paqëndrueshme për shkak të politikave ekonomike.

Megjithatë organizata nuk parashikon recesion në muajt e ardhshëm.

Lagarde: "Shohim që 70 për qind e ekonomisë globale po ngadalësohet krahasuar me çfarë kishim parashikuar disa muaj më parë. Me gjasë situata do të përmirësohet pas gjysmës së dytë të 2019-ës, por pasiguritë e shumta do të vijojnë."

Lagard tregoi se tensionet ekonomike në botë mund të zgjidhen nëse çdo shtet ndërmerr hapa konstruktikë dhe të gjithanshëm për të adresuar problematika si mbrojtja e pronës intelektuale, transferimi i teknologjive, përkufizimi i ndërmarrjeve shtetërore dhe i rolit të tyre, dhe ripërcaktimi i tarifave.

Ajo paralajmëroi se nga luftërat tregtare nuk fiton asnjëra palë që përfshihet në to.

Duke veçuar SHBA-në dhe Kinën, Lagard shtoi se ekonomitë e tyre pritet të ngadalësohen me të paktën 0,6 dhe 1,6 për qind si pasojë e tarifave të dyanshme që dy fuqitë e mëdha po aplikojnë prej vitit të kaluar.

Deklaratat e saj u mbështetën pak orë më herët nga Organizata Botërore e Tregtisë, e cila në parashikimin e fundit e uli rritjen e ekonomisë globale për vitin 2019 nga 3,7 në 2,6 për qind, kryesisht për shkak të tarifave të reja dhe masave proteksioniste, ngadalësimit ekonomik, paqëndrueshmërisë në tregjet financiare dhe mjedisit më të acaruar monetar në vendet e zhvilluara.

/Ora News.tv/