Ish-mjeku amerikan i gjimnastikës dhe i dënuar për shkelje që kanë të bëjnë me seksin, Larry Nassar është dënuar me 40 deri në 125 vjet burg, pas dënimit të tij të mëparshëm deri në 175 vjet. 

Nassar u paraqit në një gjykatë të Michiganit të hënën, duke marrë dënimin e tretë dhe të fundit, për abuzimin seksual me gjimnastet femra. Dënimi vjen ndërkohë që ai ka marrë edhe një dënim federale prej 60 vjetësh për pornografi ndaj fëmijëve.

Nassar është akuzuar për abuzime seksuale me 265 gra gjatë gjithë karrierës së tij. Rreth 140 prej akuzave rrjedhin nga karriera e tij 20-vjeçare si mjeku i ekipit të gjimnastikës të SHBA-ve.

Përveç punës për ekipin kombëtar të gjimnastikës, Nassar u punësua nga Universiteti Shtetëror i Michiganit - i cili ka nisur hetimet e veta pasi dhjetëra gra kanë ngritur padi kundër zyrtarëve të kampusit të cilët dyshohet se injoruan ankesat për abuzim.

Komiteti Olimpik i SHBA dhe US Gymnastics kanë nisur disa hetime në pretendimet se nuk kanë arritur të hetojnë ankesat për sjellje të pahijshme gjatë disa viteve. Zyrtarë të ndryshëm të lartë të gjimnastikës kanë dhënë dorëheqjen në javët e fundit si rezultat i skandalit.

Gjatë dy seancave të dënimit, më shumë se 200 viktima dhanë deklarata të ashpra. Nassar ofroi një falje të shkurtër në gjykatë të hënën për të thënë: "Vizionet e dëshmive tuaja përgjithmonë do të jenë të pranishme në mendimet e mia".

Gjyqtari Janice Cunningham tha se nuk besonte se Nassar e kuptoi ashpërsinë e krimeve të tij pasi kishte sugjeruar në një intervistë para dënimit se ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar.

/Ora News.tv/