Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Mitchell ka thënë se ndihet i lumtur që vizitën e filloi në Kosovë.

“Ishte me rëndësi që në udhëtimin tim të parë, ta filloj në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie të mirë e të thellë me SHBA-në e kjo do të thellohet edhe tutje. SHBA janë për një Kosovë demokratike. Dëshiroj t’ju them se vitin e ardhshëm do të kemi një rol edhe më aktiv, transmeton Koha.net.

Ka përmendur edhe shënimin e 10 vjetorit të Kosovës, duke shtuar se Kosova ka arritur shumë për t’u transformuar në një shtet që është bërë sot.

Mitchell tha se Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë dhe duhet t’i japë epilog marrëveshjes së demarkacionit.

“Për këto çështje, vetëm Kosova mund ta zgjidhë të ardhmen e saj” shtoi ai.

Mitchell duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse në Beograd e Prishtinë sjell ndonjë plan të ri për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, plan që u spekulua shumë në mediet serbe e që u transmetua edhe në ato të Kosovës, ai tha se vizitën në Beograd e Prishtinë nuk e bën për ta sjell këtë plan.

“Po kam lexuar për këto spekulime, por unë kam ardhur për t’i dhënë shtysë dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Mitchell.

Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me Mitchell kanë biseduar për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Takimi ishte miqësor dhe konstruktiv. U zotova që Kosova është duke punuar aktivisht dhe përgjegjshëm të konsolidoj shtetin. SHBA kanë qenë një dhe mbetet partner strategjik i Kosovës”, tha Thaçi.

Ai ka falënderuar Mitchell dhe administratën e presidentit Trump për punën që po bëjnë për Kosovën.

“E informova se jemi të përkushtuar që të përmbyllet sa më shpejt demarkacioni me Malin e Zi. Ju them se kjo çështje do të mbyllet në ditët e ardhshme”, tha ai.

Ka thënë se kanë biseduar edhe për bisedimet Kosovë-Serbi.

/Ora News.tv/