Wess Mitchell, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike ka vizituar sot Kosovën. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Hashim Thaçi, ai ka vlerësuar progresin e shënuar nga vendi, ndërkohë që i ka kërkuar palëve politike të zgjidhin çështjen e demarkacionit dhe të vijojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë pas 10 vitesh pavarësi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Kosovë Hashim Thaçi, Mitchell deklaroi se për vendin mbetet i rëndësishëm normalizimi i marrëdhënies me Serbinë dhe zgjidhja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike gjithashtu shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për çdo hap që Kosova do të ndërmarrë.

Mitchell i është përgjigjur edhe raportimeve të mediave serbe se gjatë vizitës së tij ai do të prezantonte një plan të ri për Kosovën. “Kam ardhur që të angazhohem si me Kosovën ashtu me Serbinë për të ardhmen e tyre të përbashkët dhe rrugën perëndimore,” u shpreh ndihmës sekretari i shtetit.

Sa i përket ndikimit rus në Kosovë, Mitchell vlerëson se ka një rritje në gjithë Ballkanin Perëndimor, gjë që nuk është në interesin e asnjërës prej palëve të përfshira.

Presidenti Thaçi në anën tjetër vlerësoi takimin me ndihmës sekretarin Mitchell, ndërkohë që theksoi se Kosova nuk do të lejojë prekjen e integritetit territorial.

Thaçi: Diskutuam për mundësinë e vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, si mundësi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që do të qonte në një frymë pajtimi. Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh dhe ndonjë autonomi.

Kreu i shtetit theksoi se palët politike po punojnë që të përmbyllin sa më shpejt çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që garantoi angazhimin pa kompromise të Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

/Ora News.tv/