Deputetja e Partisë Socialiste Vasilika Hysi ka sqaruar në komisionin parlamentar të ligjeve se rregullorja e re e Kuvendit nuk u rikthen imunitetin deputetëve. Hysi thotë se në projektvendimin për rregulloren pasqyrohen ndryshimet kushtetuese të 3 viteve më parë.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 janë reflektuar edhe në rregulloren e re të Kuvendit e cila u miratua me konsensus në komisionin parlamentar të ligjeve. Relatorja Vasilika Hysi sqaroi se ndryshimet nuk tentojnë t`ju rikthejnë deputetëve imunitetin.

Hysi: Në rregulloren e Kuvendit vazhdon të jetë një gabim i madh, sikur deputetët kanë imunitet. Është hequr ajo që thuhet deputetët kanë imunitet për ndjekje penale dhe prokuroria kërkon autorizim dhe në këtë nen është lënë vetëm procedura sesi veprohet kur prokuroria kërkon autorizim për caktimin e masës së arrestit në burg ose shtëpi për heqjen e lirisë. 

Rregullorja parashikon masa disiplinore për deputetët që shkelin rregullat e lobimit, pranimit të dhuratave dhe konfliktit të interesit.

Bushka: Masa do të jetë tërheqje vëmendje dhe detyrimi i deputetit të marrë masë për të korrigjuar situatën, në rast përsëritje do të zbatohet masa më e rëndë disiplinore.

Më herët, mbledhjen e braktisi deputeti Alimadhi pas refuzimit të kërkesës për shtyrjen e komisionit.

Diskutimet për rregulloren e re të Kuvendit kanë zgjatur thuajse 2 vjet, ndërsa të enjten e javës së ardhshme projektvendimi do të kalojë në Parlament, për miratim nevojiten 71 vota.

/Ora News.tv/