Pjesë nga intervista e botuesit të shkrimtarit Ismail Kadare, Bujar Hudhri dhënë gazetares Alda Bardhyli, sot në gazetën “Shqip”  me titull "Besimi te letërsia e Kadaresë, i ngjashëm si besimi tek hyjnia" -Në këto dy dekada sigurisht që janë shumë kujtime... Nëse do do të veçonit ndonjë prej tyre, për të treguar një dimension të Kadaresë? Në dhjetor 2009 shkuam bashkë me Kadarenë në Gjirokastër sëbashku me dy gazetarë të televizionit franko-gjerman Arté, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për një dokumentar mbi raportin shkrimtarit me lexuesit e tij. Ditë dimri, ftohtë, mjegull por gjithçka shkoi ngrohtësisht në bisedë me lexuesit, pastaj darka në një lokal larg qytetit, në Jergucat, më duket. Zgjati shumë darka dhe pas mesnate u kthyem në hotel. Kishim udhëtuar gjithë ditën, rruga e kthimit ishte e vështirë, mjegulla e kufizonte shikimin deri në 4-5 metra, ndaj dhe isha i përqendruar në timonin e makinës. Një kohë të gjatë s’folëm, kur befas dëgjoj zërin e Kadaresë, që dukej sikur po i drejtohej vetes. Me sa mbaj mend, ata fjalë ishin ”sa e çuditshme, një foshnje, një fëmijë i këtij qyteti, e bëri këtë qytet të njohur në botë. Sa do gëzohej gjyshja, po të ishte gjallë ...ta dinte në sa gjuhë janë lexuar fjalët e saj...” Heshta, më dukej sikur ishte e tepërt çdo fjalë, çdo tingull. Po kur u futa në dhomën e hotelit, pyesja veten, po ç’ishin ato fjalë? Mezi po prisja të vinte mëngjesi. Dhe u zgjova vonë, kur dëgjoj zërin e Kadresë. E shoh nga dritarja, dukej shumë i shqetësuar. “eja pak në dhomën time, shiko se ç’hotel na kanë zgjedhur”. Zbrita në katin e parë kur ç’të shoh, nga kondensimi i avullit (dritaret e shihnin nga lumi që kalonte aty pranë) e gjithë dhoma, dukej sikur sapo ishte i larë me markush uji. U drejtuam te bari për kafen e mëngjesit. E mbrëmshmja më dukej si ëndërr ndaj i pasigurt, si të pyesja veten, i thashë se çkuptim kishin ato fjalë. “Po kalonim pranë “Vasilikos”. Atje është varrosur gjyshja” tha dhe m’u duk se i gjithë zemërimi i atij mëngjesi iu zhduk sakaq. -Mund të quheni sot dy miq? E kam thënë në një intervistë tjetër:”Unë nuk jam miku i Kadaresë. Unë jam botuesi i tij. Miqtë e Kadaresë janë Homeri, Eskili, Shekspiri...” Mund t’ju duket retorikë? Çdo ditë që kalon e ndiej se kështu është dhe sigurisht, kështu ka për të qenë përfundimisht. Për mua ai është nga një planet tjetër, që quhet letërsi. Dhe kurrë, në asnjë rast nuk i kam ngatërruar këto raporte. E quaj si diçka të shenjtë në jetën time dhe po jua them me dy fjalë. Shqipëria është një terren i vështirë për të bërë biznes, sidomos kur ky biznes quhet shtëpi botuese. E kam filluar këtë aksion kur libri ishte në ditët e tij më të zeza. Por ishte ishte besimi te letërsia e Kadaresë, një besim i ngjashëm si besimi tek Hyjnia, po të perifrazoj një shprehje të tij të thënë diku, që unë jo vetëm të mbijetoj në këtë biznes të vështirë, por të kem ëndrrën, të kem kurajon dhe të botoj me financat e shtëpisë time botuese, veprën e plotë të Lasgush Poradecit, veprën e plotë të Martin Camajt dhe dhjetëra libra të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, këtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. -Kohët e fundit Onufri ka hedhur në treg disa romane që janë ribotime. Pse pikërisht tani? Historia e botimit të këtyre romaneve ka lidhje me tetëdhjetvjetorin e Kadaresë. Duke e ditur mirë se sa zët i ka jubiletë, mendova që këtë ta bëja tërthorazi. E biseduam që në muajin gusht që në treg të nxirrnim të gjithë ata tituj, që ishin të përfshirë në veprën e plotë, por që nuk ishin botuar më vete që prej 30-40 vjetësh, apo nuk ishin botuar asnjëherë. Ishin gati 15 tituj. Pasi Kadare u largua për në Paris, nxora librin e parë, një ese brilante si “Arti si mëkat”. Më merr në telefon dhe thotë, kur e kam shkruar atë libër? S’kam libër me këtë titull! M’u desh t’i shpjegoja se ishte eseja për piktorin Omer Kaleshi, botuar te vepra e XIX. E shikoni që kam vepruar drejt, kur s’e mbani mend ju, si do ta kujtojë lexuesi po nuk e botuam më vete? Por, m’u duk që nuk u bind. Ose ishte penduar që kishte pranuar t’i ribotonte. Nga përvoja e dija mirë se sa ngurrues ka qenë kurdoherë për listën e botimeve. Kaq u desh dhe e pezullova punën menjëherë. Kur të vijë në nëntor, thashë me vete. Por atëherë ishte vonë, kishim shumë tituj të autorëve të tjerë që i paraqitëm në Panairin e Librit. Sot, për koincidencë, e mbaruam të gjithë këtë listë. -Ka pasur në këto romane dhe rishikime që shpesh janë përcjellë me debate në duhet një shkrimtar të rishkruajë një vepër të hershme? E para, as që bëhet fjalë që Kadare ta rishkruajë një vepër. Ç’kuptim ka kjo? Por që ta retushojë artistikisht, gjuhësisht, po. Pas çdo ribotimi, kur i jepet mundësia të ndërrojë një fjalë, shprehje apo të shkurtojë apo shtojë një paragraf? Me ç’të drejtë morale mund t’ia kërkojmë, cilitdo shkrimtari në botë, në gjallje të tij, të mos e përmirësojë tekstin, të mos e përsosë atë në respekt të lexuesit të tanishëm e të ardhshëm? Por nëse hamendësohet se pas këtyre retushimeve gjuhësore apo artistike fshihen ato politike, siç mendojnë disa kritizerë, po ju sjell vetëm një shembull: botimin integral, pa asnjë ndryshim nga botimi në komunizëm, i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme dhe shmang çdo keqkuptim i krijuar me apo pa dashje. -Gjatë këtyre viteve Kadare ka qënë shpesh dhe në qëndër të sulmeve mbi qëndrimet e tij gjatë komunizmit. Si një njeri pranë tij si do i shihje këto mjegulla që shpesh ngrihen mbi të? -Po kush i bën këto sulme dhe kur? Kjo ndodh sa herë Kadare flet për hapjen e dosjeve dhe sa herë vjen tetori i Nobelit. Por Kadare ka sfiduar cilindo në këtë vend kur thotë “ndërkohë që arkivat sekrete kanë brenda qindra faqe plot denoncime kundër meje, nuk është gjendur kurrë dhe nuk do të gjendet kurrë, qoftë edhe një rresht i imi që denoncon ndokënd.” Botimi vitin e kaluar i librit të studiuesit D. Kaloçi “Kadare i denoncuar” e dëshmon edhe një herë këtë të vërtetë. -Ju si botues dhe lexues i veprës së tij si do ta vlerësoje letërsinë e shkruar prej tij gjatë komunizmit? -Po ju përgjigjem me fjalët e Mandelës shqiptar, Adem Demaçit, kur i shkruante Kadaresë ditën që kërkoi azil politik në Francë:”...në netët e mia, i ngujuar prapa grilave dhe dyerve të çelikut ke qenë me mua, kam qenë me Ty i pandarë, sepse Ti më lirove nga frika e madhe që kam pasur...” -A do të vijë shkrimtari me ndonjë libër të ri në këtë përvjetor? Kadare ka nisur vitin e kaluar një ese e cila trajton raportin poet - diktator (princ/sundues). Vetëm kaq mund t’ju them. Se kur do të botohet, varet nga autori. -Nëse do zgjidhje një poezi të tijën si të preferuarën tënde cila do të ishte? Padyshim “Mësueset e fshatit”. Do t’ju tregoj edhe një episod që ka lidhje me këtë poezi. Në një nga shëtitjet në kodrat e liqenit, përballë nesh vjen një djalë rreth të pesëmbëdhjetave (ishte në klasën e gjashtë apo shtatë). Pas tij, e drojtur dhe pakëz e skuqur në fytyrë, erdhi e ëma e cila nxitoi të thoshte se djali i saj ishte me sindromin Down, dhe shkrimtari i tij i dashur ishte Kadareja. Shumë herë kishin dashur të na takonin, por kishin ngurruar. Recitoje tani “Mësueset e fshatit”, iu drejtua djalit. Dhe ai, pa ia ndarë asnjë çast sytë Kadaresë, nisi të recitojë por dukej sikur po këndonte një këngë dhe befas fytyrës së tij i ra një nur i bukur. U mbërthyem të gjithë nga emocioni, ndërsa ai filloi një tjetër poezi, pastaj një tjetër deri sa e ëma e bindi që shkrimtari i tij i dashur tashmë duhej të largohej. S’gjen shkrimtar në botë që ka një lidhje të tillë me lexuesin! "Shtepia botuese Onufri" /Oranews.tv/

/Ora News.tv/