Kombëtarja shqiptare nuk arriti më shumë se një barazim 0-0 në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ndaj Jordanisë. Një rezultat që nuk përligj atë që futbollistët tanë dhanë në fushë, pasi shtylla dhe fati kundër ishin pengesat e vetme për të besuarit e Panuccit. Pas takimit, Balaj, Mavraj, Djimsiti, Grezda dhe Dermaku u ndalën për mikrofonin e gazetarit Altin Sulçe, ku për "Ora News" deklaruan:

Mërgim Mavraj: Kemi pasur shumë ndryshime në mbrojtje. Gjatë pjesës së dytë kemi pasur shumë ndryshime, disa gjëra që nuk kanë funksionuar por është një gjë normale. Në pjesën e parë kemi pasur shumë raste, kemi bërë mirë. Grezda kishte dy mundësi shumë të mira për të shënuar, në fund Balaj. Gjithsesi në ndeshje miqësore nuk funksionon gjithçka, por mendoj se me mendje dhe me një këmbë ishim në Izrael.

Berat Djimsiti: Kanë ardhur disa lojtarë të rinj. Gjithsesi kanë bërë mirë në fushë, gjithë skuadra bëri mirë por duhet të ishim më të saktë përballë portës.

Bekim Balaj: Mendoj se mund të bënim akoma më shumë. Por duke parë që kjo ndeshje miqësore është para ndeshjes me Izraelin përqendrimi maksimal dhe vëmendja maksimale është te ai takim, pra kjo ndeshje ishte si nxehmje dhe një provë për lojtarët e rinj.

Eros Grezda: Rasti në pjesën e parë ndaj meje ishte një penallti e pastër. Nuk mendoj se gjatë karrierës sime kam parë një penallti më të pastër se kaq. Na intesiteti i aksionin humba totalisht kontrollin, ai ishte pas meje dhe besoj se ishte penallti. Gjithsesi më vjen mirë që u riktheva në ekipin kombëtar. Ishte një kundërshtarë që nuk na u përshtat neve, pasi ne jemi mësuar të luajmë me kundërshtarë më të fortë se Jordania. Besoj se ndaj Izraelit do të bëjmë më mirë.

Kastriot Dermaku: Është një ndër gjërat më të bukura në botë që të debutosh me ekipin kombëtar. Kisha emocione, por ne jemi profesionist dhe arrita t'i menaxhoj. Kemi futbollist me eksperiencë dhe të mbështesin shumë.

/Ora News.tv/