Interesi për ndeshjen që Shqipëria do të zhvilloj sonte në mbrëmje në orën 20:00 kundër Jordanisë nuk është i lartë. Emri i kundërshtarit por edhe performanca e kuqezinjve në ndeshjet e fundit ka bërë që numri i biletave të shitura të jetë i ulët, pavarësisht promovimit nga Federata Shqiptare e Futbollit. Edhe pse në dukje ndeshja duket e qetë, policia do të marrë masat për zhvillimit sa më normal të këtij takimi.

Drejtoria vendore e Policisë së Elbasanit ka marrë një sër masash organizative për zhvillimin sa më normal, para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit miqësor mes Shqipërisë dhe Jordanisë. Për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje do të angazhohen 135 forca policie të rendit, qarkullimit, Shqiponjat, FNSH dhe policia kriminale.

"Do të ketë bllokim të aksit në drejtim të stadiumit duke filluar nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv si dhe do të mbyllen lokalet rreth stadiumit. Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e policisë, ku nuk do të lejohet futja e mjeteve të forta, shisheve me tapë, fishekzjarreve, monedhave si dhe çelësave."-thuhet në një komunikatë për shtyp të Policisë së Elbasanit.

/Ora News.tv/