Ministri i Brendshëm serb thotë se presidenti Vuçiç është përgjuar nga agjencitë e huaja të zbulimit. Ai nuk jep prova për këtë, por shton se disa fuqi botërore duan të pozicionohen më mirë në Serbi dhe në Europën Juglindore. Nebojsha Stefanoviç, flet gjatë një interviste edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe thotë se në bisedimet duhet të përfshihet edhe Rusia e Kina.

Shërbimet e huaja të zbulimit po përpiqen të monitorojnë komunikimet e presidentit Aleksandar Vuçiç, e sidomos të fëmijëve të tij.

Deklarata vjen nga ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç, që shton se synimi është shtimi i rolit të tyre në Serbi dhe veçanërisht në Europën Juglindore.

"Nuk është e lehtë të provosh pretendime të tilla, pasi teknikat e sotme janë aq të përparuara sa shërbimet e zbulimit mund t’i monitorojnë komunikimet elektronike edhe nëse nuk janë të pranishme në Serbi," tha Stefanoviç.

Ai shtoi se autoritetet kanë disa informacione, por që nuk mund t'i bëjmë ato publike.

Stefanoviçi shtoi se agjencitë e huaja të zbulimit po interesoheshin gjithnjë e më shumë për fëmijët e presidentit Vuçiç.

Gjatë një interviste për gazetën ‘Vecernje Novosti’, ai flet edhe për çështjen e Kosovës, për të cilën thotë se nuk do të mbahet një referendum së bashku me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, siç ishte premtuar nga presidenti Vuçiç.

Duke folur për dialogun Beograd - Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, ministri i Brendshëm thotë se "në rast të përfshirjes së drejtpërdrejtë të ShBA-së në kërkimin e një zgjidhjeje, atëherë në bisedime duet të përfshihet edhe Rusia e Kina." 

/Ora News.tv/